Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të Informimit Publik dhe Transparencës, bën me dije se referuar problematikës së ngritur nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, mori masa për verifikimin dhe kontrollin në operatorët e biznesit ushqimor të përfshirë në denoncim. Kontrollet u kryen në zbatim të urdhrave përkatës, me qëllim verifikimin në terren të pretendimeve të ngritura, me fokus të veçantë qëndrueshmërinë e datës së skadencës, etiketim, gjurmueshmëri, kushtet higjieno-sanitare dhe sistemi HACCP.
Gjatë verifikimeve në terren në subjekte, u kryen prova për produktet objekt denoncimi si dhe për produktet e tjera të cilat nuk ishin të përfshira në denoncim, në lidhje me qëndrueshmërinë e datës së skadencës. Produktet e cituara në denoncim ishin të identifikuara me emër tregtar dhe jo me numër loti. Nga verifikimet në terren, u morën këto masa;
· Në 8 subjekte janë marrë masa me bllokim për 20 produkte, për fshirje të datës së skadencës. · Në total janë bllokuar 3609.892 kg produkte, nga të cilat 3174 kg janë me destinacion kthim në origjinë dhe rietiketim, ndërsa 462.892 kg janë kryer bllokim me destinacion asgjësimin e tyre. · Për këto subjekte janë marrë 8 masa me paralajmërim.
Theksojmë se pavarësisht evidentimit të fshirjes së datave të përdorimit për produktet ushqimore, u konstatua se produktet tregtoheshin brenda afateve të përdorimit të cituara në etiketë. Në një subjekt, për tregtim të produktit pa etiketim në gjuhën shqipe, është vendosur masë administrative me gjobë dhe bllokim produkti në sasinë 458.85 kg, me destinacion kthim në origjinë për etiketim në gjuhën shqipe. Gjithashtu, nga AKU u krye edhe ndjekja e gjurmueshmërisë në subjektet të cilat janë prodhues të këtyre produkteve, ku u kryen verifikimet përkatëse mbi mënyrën e stampimit të afatit të përdorimit në produktet ushqimore.
Nga evidentimi i problematikave mbi qëndrueshmërinë për afatet e përdorimit gjatë ndjekjes së gjurmueshmërisë, u këshilluan subjektet që të kryejnë verifikime të herëpashershme të produkteve të cilat i nxjerrin në treg. Në vijim të inspektimeve, u verifikuan edhe kushtet higjieno-sanitare, ruajtja e produkteve ushqimore, dokumentacioni i vetëkontrollit HACCP, si dhe sistemet e gjurmueshmërisë, të cilat rezultuan funksionale.
Qasja e AKU-së ka qenë e orientuar në tre drejtime:
1. Verifikim – kontroll i drejtpërdrejtë në terren dhe prova praktike mbi produktet e përfshira në denoncim; 2. Ndërhyrje – marrja e masave konkrete kur janë konstatuar mospërputhje, përfshirë bllokimin dhe tërheqjen e produkteve dhe masat administrative; 3. Parandalim – komunikim dhe bashkëpunim me operatorët e biznesit ushqimor, për përmirësimin e proceseve të vetëkontrollit, etiketimit, gjurmueshmërisë dhe kontrollit të brendshëm.
AKU, mbi këtë problematikë ka zhvilluar takime me operatorët e biznesit ushqimor, përfshirë subjektet me aktivitet në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore, si dhe me përfaqësues të rrjeteve të supermarketeve, me qëllim që këto problematika të trajtohen jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe në funksion të parandalimit të përsëritjes së tyre. Gjatë këtyre takimeve, është theksuar përgjegjësia e çdo OBU-je për garantimin e sigurisë së produkteve që vendos në treg, respektimin e kërkesave të etiketimit, kontrollin e qëndrueshmërisë së datës së skadencës, funksionimin efektiv të gjurmueshmërisë dhe zbatimin e sistemit të vetëkontrollit.
Operatorët e biznesit ushqimor janë këshilluar që testet e qëndrueshmërisë së datës së skadencës të kryhen periodikisht dhe të dokumentohen në kuadër të sistemit të vetëkontrollit, si një masë parandaluese për garantimin e integritetit të informacionit të vendosur në etiketë. Mbi detyrimet në kuadër të proceseve të përafrimit me legjislacionin e BE-së, AKU po punon në disa drejtime, ka propozuar ndryshimet e VKM-së nr. 434, datë 11.7.2018 për paraqitjen e veçorive të detyrueshme, deklarimin e shtetit të origjinës, deklarimin e përbërësit kryesor dhe mënyrën e notifikimit te etiketës. Në të njëjtën kohë, AKU në bashkëpunim me partnerët evropianë po harton listëverifikimet mbi kushtet që duhet të plotësojë OBU në zbatim të rregulloreve të BE-së.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet i angazhuar për reagim të menjëhershëm ndaj çdo problematike që mund të cenojë sigurinë ushqimore dhe informimin e konsumatorit.



