AKU dhe MBZHR zhvillojnë vizitë zyrtare në Slloveni, me fokus forcimin e bashkëpunimit dhe përafrimin me standardet e BE-së për sigurinë ushqimore

Në kuadër të procesit të përafrimit me standardet e BE-së, Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, znj. Blerina Gjylameti, së bashku me Zv. Ministren Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Tana Kika, Drejtorin e Përgjithshëm të AKVMB z. Rolandi Mecaj, si dhe drejtues të sektorëve dhe institucionit të shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Sh.T.Z. Olian Kanushi, zhvilluan një vizitë zyrtare në Agjencinë për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Mbrojtjen e Bimëve (AFSVSPP).

Gjatë vizitës u zhvillua një takim edhe me Sekretaren e Shtetit për Bujqësinë, znj. Mojca Enjavac, si dhe diskutime të rëndësishme mbi bashkëpunimin ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e sigurisë ushqimore.

Znj. Enjavac shprehu gadishmërinë për të mbështetur Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, duke ofruar asistencën e tyre dhe përvojën institucionale të Sllovenisë.

Drejtoresha e AKU, znj. Gjylameti, theksoi rëndësinë e kësaj vizite në funksion të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të sistemit të kontrollit zyrtar në Shqipëri.

Gjatë vizitës në AFSVSPP u zhvillua një prezantim mbi organizimin, përgjegjësitë e këtij institucioni, në fushën e sigurisë ushqimore, shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjes së bimëve.

Në fokus të diskutimeve ishin veçanërisht kontrollet zyrtare dhe auditimet, si instrumente thelbësore për garantimin e sigurisë ushqimore dhe zbatimin e standardeve europiane.

U shkëmbyen përvoja mbi mënyrën e planifikimit dhe realizimit të kontrolleve, mbikëqyrjen e operatorëve të biznesit ushqimor, monitorimin e zbatimit të kërkesave ligjore. 

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme