Këshillues për produktet e formulës për foshnje

  1. Pse Nestlé po tërheq disa produkte formule për foshnje në disa vende?
Së pari, duam t’u bëjmë të ditur prindërve dhe kujdestarëve se siguria e produkteve tona dhe mirëqenia e foshnjave janë përparësia jonë absolute.
Pas zbulimit të një problemi cilësor në një përbërës të furnizuar nga një furnitor kryesor, Nestlé ka kryer testime për të gjithë vajin e acidit arahidonik (ARA) dhe përzierjet përkatëse të vajrave që përdoren në prodhimin e formulave për foshnje që mund të jenë potencialisht të prekura.
Dëshirojmë të qetësojmë prindërit dhe familjet: kemi ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në vendet e prekura, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet, për të tërhequr nga tregu të gjitha produktet potencialisht të prekura. Kjo bëhet për të vënë në plan të parë shëndetin dhe mirëqenien e familjeve dhe foshnjave të tyre.
E dimë që kjo situatë është shqetësuese për shumë familje. Personeli ynë që merret me konsumatorët, në koordinim me ekspertët tanë mjekësorë, është i angazhuar të dëgjojë me vëmendje prindërit dhe kujdestarët, duke trajtuar çdo kërkesë individuale me kujdes.
Deri më sot, nuk kemi marrë asnjë raport mjekësor që të konfirmojë një lidhje mes produkteve tona dhe ndonjë sëmundjeje.
Paralelisht, ekipet tona po punojnë intensivisht për të minimizuar çdo ndërprerje të mundshme të furnizimit.
Nestlé mbetet e përkushtuar për t’i mbajtur prindërit, kujdestarët dhe publikun të informuar, duke ofruar informacion të qartë, transparent dhe mbështetje gjatë gjithë këtij procesi.
 
  1. Çfarë është cereulide?
Cereulide është një toksinë me origjinë bakteriale që shkakton sëmundje të transmetuara nga ushqimi dhe prodhohet nga disa lloje të mikroorganizmit Bacillus cereus. Prania e cereulide-s në vajra është shumë e rrallë.
 
  1. Cili është reagimi juaj ndaj niveleve të reja të pragut të sigurisë të vendosura nga autoritetet europiane pas vlerësimit të shpejtë të rrezikut nga EFSA?
Ne e mirëpresim vlerësimin e fundit të shpejtë të rrezikut nga EFSA, i cili sjell më shumë qartësi në kuadrin e sigurisë ushqimore për cereulide-n në formulat për foshnje. Kufiri i përdorur nga Nestlé-s mbetet më i ulët.
Në fakt, doza akute referuese e EFSA-s prej 0.014 μg/kg peshë trupore korrespondon me 0.43 ng/g produkt, krahasuar me 0.2 ng/g produkt që përdoret aktualisht nga Nestlé.
Nestlé ka kërkuar së fundmi këtë harmonizim mbi bazën e një qasjeje të menaxhimit të rrezikut të mbështetur në shkencë, për të garantuar që të gjitha formulat për foshnje të ndjekin standardin e nivelit të pazbulueshëm.
 
  1. A kanë ndryshuar udhëzimet për nivelet e pranuara të cereulide-s në formulat për foshnje?
Para 2 shkurtit 2026, nuk ekzistonte një kufi i pranuar në mënyrë të përgjithshme për cereulide-n në formulat për foshnje. Njoftimi i EFSA-s është një përgjigje ndaj përpjekjeve të shteteve anëtare të BE-së për të sjellë më shumë qartësi në këtë çështje. Nestlé e mirëpret këtë zhvillim të fundit në menaxhimin e cereulide-s.
 
  1. Si ta kontrolloj nëse kam një produkt të prekur dhe çfarë duhet të bëj? Çfarë duhet të bëj nëse kam blerë ose përdorur formulën e tërhequr?
Së pari, nëse keni ndonjë shqetësim për shëndetin ose ushqyerjen e fëmijës suaj, ju këshillojmë të flisni me pediatrin ose ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor.
Konsumatorët duhet të kontrollojnë paketimin e produktit për numrin e lotit dhe informacionin përkatës, si edhe faqen lokale të Nestlé-s ose të markës së produktit në vendin e tyre, për të verifikuar nëse një produkt është i prekur. Nëse produkti juaj është pjesë e tërheqjes (RASFF – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit), duhet të ndaloni menjëherë përdorimin dhe ta trajtoni produktin sipas udhëzimeve në njoftimin për tërheqje.
Ju lutemi referojuni faqes lokale të Nestlé-s ose të markës së produktit për njoftimin zyrtar të tërheqjes dhe për detaje mbi mënyrën e kthimit të produktit për një rimbursim të plotë.
 
  1. Cilat janë simptomat që duhet të vëzhgoj? Çfarë duhet të bëj nëse fëmija im shfaq shenja sëmundjeje?
Simptoma kryesore për t’u vëzhguar është të vjella të forta, të cilat zakonisht shfaqen nga 30 minuta deri në 6 orë pas ekspozimit. Simptoma të tjera të mundshme përfshijnë diarre dhe plogështi të pazakontë.
Nëse nuk shfaqen simptoma, nuk ka arsye për shqetësim për ndonjë ndikim shëndetësor. Nëse keni ndonjë shqetësim për shëndetin ose ushqyerjen e fëmijës suaj, ju këshillojmë të flisni me pediatrin ose ofruesin e kujdesit shëndetësor. Pavarësisht nga prania ose jo e simptomave, prindërit dhe kujdestarët udhëzohen të ndërpresin përdorimin e produktit në përputhje me njoftimin për tërheqje (RASFF – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit).
 
  1. A është raportuar ndonjë foshnjë e sëmurë pas konsumimit të këtyre produkteve?
Deri më sot, nuk kemi marrë asnjë raport mjekësor që të konfirmojë një lidhje mes produkteve tona dhe ndonjë sëmundjeje.
 
8. Cilat vende dhe marka janë të prekura?
Vaji ARA përdoret në një gamë të gjerë produktesh ushqimore për foshnje që shiten globalisht, ndaj kjo çështje prek disa vende, marka dhe produkte. Markat dhe produktet specifike të prekura ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Në vendet e prekura dhe në përputhje me ligjin lokal për sigurinë ushqimore, ekipet tona po bashkëpunojnë me autoritetet për të përcaktuar veprimet që mbështesin prindërit dhe kujdestarët. Ekipet tona janë në proces të publikimit të informacionit të nevojshëm në faqet lokale të Nestlé-s ose të markave përkatëse. 
 
9. A ka pasur mangësi në protokollet tuaja të cilësisë dhe sigurisë?
Jo, nuk ka pasur mangësi në protokollet tona të cilësisë dhe sigurisë. Prania e cereulide-s në vajra është jashtëzakonisht e rrallë. Megjithatë, protokollet tona të gjera të monitorimit na lejuan të zbulojmë problemin, të identifikojmë burimin e ndotjes nga një furnitor global i industrisë dhe të njoftojmë zyrtarisht shoqatat përkatëse të tregtisë, në mënyrë që prodhues të tjerë të informoheshin.
Ne jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion ekspertizën tonë shkencore dhe të ndihmojmë në përmirësimin e praktikave dhe standardeve të industrisë, përfshirë protokollet e testimit, si pjesë e përpjekjeve për të rritur standardet dhe për të përmirësuar më tej sigurinë ushqimore.
 
10. A e keni rifilluar prodhimin e formulës për foshnje? A mund të konfirmoni sigurinë ushqimore të të gjitha produkteve tuaja?
Kemi ndërprerë furnizimin me vaj ARA nga furnitori i prekur. Të gjitha lotet e këtij përbërësi nga furnitorët tanë të tjerë tani testohen sistematikisht për të konfirmuar mungesën e cereulide-s. Prodhimi i markave të përfshira ka rifilluar në shumicën e fabrikave tona të formulës për foshnje dhe ne jemi plotësisht të bindur për shëndetin dhe sigurinë e produkteve tona.
Ne vazhdojmë të kryejmë testime të gjera gjatë dhe pas prodhimit dhe konfirmojmë se të gjitha produktet tona në treg janë të sigurta për konsum.
Tani po përqendrohemi në rimbushjen e stokut dhe në vazhdimin e furnizimit të prindërve dhe familjeve me produkte të sigurta, të cilave mund t’u besojnë.
 
11. Si kryhet procedura për tërheqjen e produktit?
Pasi vendosim të procedojmë me një tërheqje, ndërmerren hapa të qartë:
Përcaktohen vendndodhjet e të gjitha produkteve të prekura duke gjurmuar numrin e lotit (dhe nëse ndodhen në magazinat tona, te distributorët, në dyqane apo te konsumatorët në shtëpi).
Identifikohet sasia që nuk është më nën kontrollin tonë.
Konfirmohet se cilat produkte duhet të tërhiqen dhe në cilat vende.
Prodhuesit janë të detyruar ligjërisht të njoftojnë autoritetet në vendet ku produktet për t’u tërhequr janë shpërndarë, markat e përfshira dhe sasitë përkatëse.
 
Lutemi që për çdo rast t’i drejtoheni faqes zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për t’u informuar në lidhje me publikimin e loteve të produktit.