Njoftim i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në rang vendi,  përgjatë dy ditëve, kanë inspektuar 160 subjekte, nga të cilat: 50 subjekte me origjinë shtazore, 78 subjekte me origjinë jo-shtazore dhe 32 subjekte MBIB.

Nga inspektimet e kryera për një shkelje të lehtë janë marrë 9 masa administrative me “paralajmërim”.

Për shkeljet e konstatuara dhe problematikat e evidentuara nga kontrollet zyrtare të kryera pranë subjekteve, janë vendosur 8 masa administrative “gjobë” me vlerë 1.460.000 lekë në total.

Në qarqet Fier, Shkodër dhe Durres, trupat inspektuese të DRAKU-ve kanë ushtruar kontrolle në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik të drejtorive të Policisë së qarqeve përkatëse.

Në qarkun Fier, trupa inspektuese e AKU-së Fier në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, referuar informacionit të përcjellë nga Prokuroria, kanë ushtruar kontroll në subjektin R. Sauli me aktivitet “përpunim mishi”.

Gjatë inspektimit, është konstatuar se subjekti ushtronte aktivitetin në mungesë të kushteve higjieno-sanitare, mungesë të kushteve të ruajtjes së produkteve, mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë për periudhën tetor-nëntor, mosimplementimin e plotë të sistemit të vetëkontrollit HACCP, si dhe mungesë të përgjegjësive të operatorit të biznesit ushqimor.

Për gjetjet në kundërshtim me ligjin është marrë masë e bllokimit të produkteve në sasinë totale 2089 kg, përkatësisht 1629 kg të produktit “gjiro”, 100 kg dhjamë derri, 360 kg kima mish pule, me destinacion asgjësimin e tyre, si dhe janë marrë masat admnistrative me “gjobë” në vlerën 1.000.000 lekë. Gjithashtu, është marrë masë me ndërprerje të pjesshme të aktivitetit ku janë konstatuar problematikat.

Në qarkun Shkodër, trupa inspektuese e AKU-së në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik, referuar kërkesës së Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, kanë kryer verifikimet në subjektin “Universal Frigo Darb” me aktivitet “përpunim mishi”, ku kanë konstatuar mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë për të cilin është marrë masë administrative me “gjobë” në vlerën 100.000 lekë.

Në qarkun Durrës, trupat inspektuese të AKU-së në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, kanë ushtruar kontroll në subjektin “Golden Hand Company” me aktivitet “tregtim fruta të thata”.

Për gjetjet në kundërshtim me ligjin, gjatë ushtrimit të kontrollit, është vendosur masë administrative me “gjobë” në vlerën 300.000 lekë, për mungesë gjurmueshmërie, mosimplementim të sistemit HACCP dhe përgjegjësitë e operatorit të biznesit ushqimor.

Në qarkun Dibër, ndaj Kopshtit nr. 3 Peshkopi dhe Spitalit Civil Peshkopi janë vendosur masa administrative me “gjobë” nga 30.000 lekë për mosrealizim detyrash të lëna nga inspektimet paraardhëse.

Në të gjithë OBU-të janë lënë detyra në përmbushje të legjislacionit në fuqi për ushqimin, të cilat do të jenë pjesë e monitorimit të vazhdueshëm.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë të bashkëpunojë me të gjitha organet lizgjzbatuese në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme