AKU dhe KEK takim pune me sektorin e grumbullimit, paketimit dhe tregtimit të vezëve

Në tryezën teknike të organizuar nga AKU në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik Kombëtar (KEK), me pjesëmarrjen e Ministrit të MBZHR-së, z. Andis Salla, si dhe përfaqësuesve të OBU-ve, u diskutua mbi përmirësimin e standardeve në sektorin e grumbullimit, paketimit dhe tregtimit të vezës kokërr, si dhe prodhimit të vezës së lëngshme.
Në fokus të diskutimeve ishte zbatimi i kërkesave të legjislacionit në përputhje me kërkesat e BE-së, përmes implementimit të sistemit HACCP, forcimit të gjurmueshmërisë, deklarimit të saktë të etiketimit dhe përmirësimit të kushteve në stabilimentet e prodhimit.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së Znj.Blerina Gjylameti, tha se në vizionin e ri të AKU-së synohet tregu i përbashkët evropian, si dhe renditja e produkteve shqiptare krah produkteve analoge të prodhuara në vendet e BE-së.
Vëmendja iu kushtua ndërgjegjësimit të OBU-ve për kryerjen e vetëvlerësimit përmes plotësimit të checklist-ave mbi kushtet e biosigurisë, me qëllim identifikimin e mangësive dhe marrjen e masave për përmbushjen e standardeve të BE-së.
U theksua rëndësia e procesit, që do të nisë së shpejti në lidhje me vlerësimin dhe kategorizimin e stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë në funksion të përgatitjes së programit kombëtar të përmirësimit të këtyre stabilimenteve.
U garantua mbështetje për bizneset me të gjitha format e komunikimit të AKU-së dhe MBZHR-së për çdo problematikë dhe informacioni ligjor, por njëkohësisht edhe tolerancë zero ndaj çdo praktike abuzive që cenon sigurinë ushqimore.

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme