AKU kontrolle në të gjitha zonat turistike për garantimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik
Drejtoria Rajonale e AKU Fier, Korçë dhe Shkodër, kontrolle në pastiçeri, bar-restorante dhe në minimarkete, vendosen 3 gjoba me vlerë totale 900 mijë lekë të rinj, si dhe bllokohet aktiviteti i 2 prej subjekteve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet e njëpasnjëshme në të gjithë për të garantuar vijimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë ushqimore. Nga kontrollet zyrtare ka rezultuar se disa subjekte në Fier, Korçë, dhe Shkodër nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore, më konkretisht:
- Nga kontrolli i ushtruar në subjektin me aktivitet “Njesi prodhimi dhe tregtimi ëmbëlsirash”, Bilisht, Korçë u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë në kushte të papërshatshme higjeno-sanitare, (në ambientin e prodhimit kishte prani të papastërtive si dhe prezencë ndryshku tek mjetet e punës të cilat ishin dhe tejet të amortizuara).
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat e mëposhtme:
- Gjobë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
- U bë bllokimi i menjëhershëm i aktivitetit deri në përmirësimin e kushteve higjeno-sanitare.
- Nga kontrolli i ushtruar në subjektin me aktivitet “Minimarket” Fier u konstatua se subjekti tregtonte produkte të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit (karamele, çokollata, amita, biskota, kikirika, oriz, pije freskues etj).
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat e mëposhtme:
- Gjobë 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi,
- U bë bllokimi i produkteve të konstatuara të pasigurta për konsum me qëllim asgjesimin e tyre.
- Nga kontrolli i ushtruar në subjektin me aktivitet “Prodhim produktesh me bazë brumi” Velipojë, Shkodër u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (tualeti kishte dalje të drejtëpërdrejtë në ambjentet e prodhimit, mungonte analiza e ujit, muret kishin prani myku dhe mjetet e punës kishin prezencë ndryshku)
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat e mëposhtme:
- Gjobë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
- U bë bllokimi i menjëhershëm i aktivitetit deri në përmirësimin e kushteve higjeno-sanitare.
AKU vijon punën e pandërprerë në të gjithë vendin, duke kontrolluar zbatimin e kërkesave ligjore nga ana e operatorëve të biznesit ushqimor për të garantuar në këtë mënyrë konsumatorët për sigurinë e produkteve që konsumojnë si dhe për të vijuar mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.
Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.
Për Sigurinë e Ushqimit që Konsumon dhe Ruajtjen e Shëndetin tënd, Bashkëpuno me AKU
info@aku.gov.al | “ShqipëriaqëDuam” | 08007575 (pa pagesë) ” | Tel: 042254052