Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet rigoroze në Pikat e Inspektimit Kufitar me qëllim parandalimin e futjes në Shqipëri të produkteve ushqimore që nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe janë të pasigurta për konsum.
Nga kontrollet e ushtruara në PIK Kapshticë, u konstatua ngarkesa me një sasi prej 5636 kg e ardhur nga Turqia me qëllim futjen dhe tregtimin në Shqipëri të produkteve të ndryshme ushqimore (ullinj të shtypur, vaj susami, allvasi, lëng shege, gjethe bimore çaji, vaj ulliri, thjerrëza, kamomil, trumzë jeshile, çaj dhe përzierje bimësh, rrënjë kambal, piper i zi, tuberet karafil, kimnone e coptuar, ginger pluhur, majdanoz i thatë, qiqra, kripë kineze, limon i thatë, thjerëza, çaj etj).
Nga kontrolli i dokumentacionit përkatës u konstatua se subjekti importues nuk dispononte raport-analizën e produkteve, çka përbën mospërmbushje të kërkesave ligjore të sigurisë ushqimore (Ligji i Ushqimit, neni 18 dhe Urdhëri i Ministrit nr. 374 të dt. 31.08.2017).
Në këto kushte, trupa inspektuese vendosi të ndalojë hyrjen e mallrave ushqimore në Shqipëri dhe i dha subjektit 7 ditë kohë të plotësojë mangësitë në dokumentacionin shoqërues të mallit. Me kalimin e këtij afati kohor dhe në kushtet kur subjekti nuk plotësoi mangësitë në dokumentacionin shoqërues të mallit, trupa inspektuese vendosi kthimin në vendin e origjinës për ngarkesën e produkteve prej 5636 kg.
AKU konfirmon edhe njëherë përkushtimin për zbatimin rigoroz të legjislacionit të sigurisë ushqimore dhe forcimin e masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të konsumatorit.
Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.
PËR SIGURINË E USHQIMIT QË KONSUMON DHE RUAJTJEN E SHÊNDETIN TËND, BASHKËPUNO ME AKU
info@aku.gov.al | “ShqipëriaqëDuam” | 08007575 (pa pagesë) ” | Tel: 042254052