Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit nëpërmjet parandalimit të çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon monitorimin/kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi nga operatorët e biznesit ushqimor (OBU) të cilët kanë si aktivitet importimin, përpunimin dhe ambalazhimin e produktit “kripë”, nëpërmjet sistemit të gjurmueshmërisë në zinxhirin ushqimor “kripë për konsum njerëzor dhe industrinë ushqimore”.
Së fundi, nga kontrolli i ushtruar në dy subjekte kryesore tregtuese të kripës në vend, u konstatua gjendje e produktit kripë me nivel jodi nën normën e lejuar, dhe si rrjedhojë u mor masa administrative “Bllokim” për sasinë 31 ton dhe masa administrative “Gjobë” në vlerën totale prej 2,6 milionë lekë.
1) Nga kontrolli i ushtruar në njërin prej subjekteve tregtues u konstatuan 4 shkelje ligjore dhe u morën masat e mëposhtme:
Për importim në kundërshtim me Ligjin e Ushqimit, ku mungonte certifikata origjinale e lëshuar nga vendi i origjinës, u mor masa administrative “Gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë,
Për mungesë të një sistemi funksional gjurmueshmërie, u mor masa administrative “Gjobë” me vlerë 100,000 lekë,
Për etiketim produkti të parregullt, u vendos masa administrative “Gjobë” me vlerë 100,000 lekë,
Për veprime në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit Ushqimor, u vendos masa administrative “Gjobë” me vlerë 300,000 lekë.
Përpos masave të mësipërme, u vendos masa “Bllokim” për sasinë prej 16.2 ton kripë dhe subjektit ju kërkua të tërheqë nga tregu të gjithë sasinë e kripës, e cila nuk përmbushte kriteret ligjore për nivelin e jodit me detyrën për asgjesimin e saj. Si dhe u vendos ndërprerja e menjëhershme e veprimtarisë së tregtimit të kripës.
2) Nga kontrolli i kryer në një tjetër subjekt tregtues për përmbushjen e kërkesave ligjore për tregtimin e kripës u konstatuan disa problematika dhe u morën masat si më poshtë:
Për import në kundërshtim me ligjin, u vendos masa administrative “Gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë,
Për veprime në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë së produktit, u vendos masa administrative “Gjobë” me vlerë 100,000 lekë,
Operatori i Biznesit Ushqimor u urdhërua të tërheqë nga tregu produktin “kripë” të shpërndarë për shitje në sasinë prej 15 ton dhe kthimin e saj në vendin e origjinës.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbetet i vendosur për të mos toleruar asnjë subjekt, i cili në kundërshtim me ligjin tenton të cënojë shëndetin e konsumatorëve. Siguria ushqimore është prioritet i punës sonë. Me ndryshimet në Kodin Penal do të ashpërsohen masat ndëshkuese, duke përfshirë edhe dënimin me burg ndaj kujtdo që tenton të vendos në rrezik shëndetin e konsumatorëve.
Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.
PËR SIGURINË E USHQIMIT QË KONSUMON DHE RUAJTJEN E SHÊNDETIN TËND, BASHKËPUNO ME AKU
info@aku.gov.al | “ShqipëriaqëDuam” | 08007575 (pa pagesë) ” | Tel: 042254052