Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka forcuar dhe shtrënguar akoma më shumë masat dhe kontrollet, nëpërmjet monitorimeve dhe sinjalizimeve në stabilimentet e produkteve shtazore
(produkteve të mishit dhe të qumështit) me qëllim sigurimin dhe garantimin e çdo produkti që tregtohet në vend.
Për periudhën 1-17 tetor 2018, trupa inspektuese e AKU-së në rang vendi ka kryer 181 inspektime për stabilimentet e produkteve shtazore.
Konkretisht, për stabilimentet e prodhim/përpunim dhe tregtim të produktit mish janë kryer 137 inspektime nga të cilat janë marrë masë administrative, 54 paralajmërime, 20 masa administrative me gjobë në vlerën prej 4 000 000 lekë, 8 ndërprerje aktiviteti si dhe bllokim/asgjësim të 962.1 kg mish.
Ndërkohë për stabilimentet e përpunim dhe tregtim të produkteve të qumështit/nën produktet e tij janë kryer 44 inspektime nga të cilat janë marrë masë administrative, 24 paralajmërime, 5 masa administrative me gjobë me vlerën 700 000 lekë, 1 ndërprerje aktiviteti si dhe bllokim/asgjësim të 190 kg djathë i bardhë dhe 7.5 litra qumësht.
Subjektet për të cilat është marrë masa e menjëhershme me ndërprerje aktiviteti janë : Alb Orka dhe Rrok Uka në qytetin e Tiranës, Dylaver Suma në Dibër, Nexhip Cezma në Korçë, Sali Rustem Buci në Durrës, Netil Dalipi, Edmond Saraçi dhe Aldo Poroçani në Elbasan, të cilët janë stabilimentet e prodhim/përpunim dhe tregtim të produktit mish. Ndërsa për stabilimentin e përpunim dhe tregtim të produkteve të qumështit/nën produktet e tij subjekti Pëllumb Xhanari në Fier.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, siguron se është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore.
Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.