KORÇË, AKU BLLOKON 6.3 TON MISH TË NGRIRË

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar në Korçë 6 ton e 323 kg mish të ngrirë për shkak të kushteve të rënda higjeno – sanitare ku kryhej aktiviteti si dhe subjekti nuk kishte asnjë dokumentacion për kontrollet veterinare të mishit, certifikimin e produktit dhe elementin e gjurmueshmërisë (faturën tatimore).

Ky operacion i AKU-së është në vazhdën e punës për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të produkteve shtazore në funksion të sigurisë ushqimore dhe në kuadër të masave të përforcuara gjatë sezonit turistik.

Konkretisht, gjatë kontrollit në subjektin e shtetases, Mirela Dvorani me Nipt K74304001Q u konstatua mungesë të kushteve higjeno-sanitare në ambientet e tregtimit. Gjithashtu në dhomat frigoriferike u konstatuan disa produkte “mish i ngrirë” (1100kg stomak pule, 3432kg dhjam derri, 1316kg tremiks koke, 100kg dhjam viçi, 350kg këmbë viçi, 25kg kokë qingji) që ishin të paketuara por pa asnjë të dhënë etiketimi, si dhe pa dokumentacion shoqërues: faturë tatimore dhe certifikatë veterinare të cilat u bllokuan me destinacion asgjësimin.

Për shkeljet e mësipërme përveç masës administrative së bllokimit të produktit u morën masat administrative me gjobë në vlerën 600.000 lekë si dhe ndalim i menjëhershëm i aktivitetit.

Pas zbulimit e goditjes së rastit, AKU ka bashkëpunuar edhe me strukturat e hetimit tatimor si dhe Policinë vendore. Gjithashtu Aku për rastin po bashkëpunon edhe me strukturat doganore, për shkak të dyshimeve se kjo sasi produkti është futur kontrabandë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.


 

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme