Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, znj. Blerina Gjylameti, së bashku me drejtorin e DRAKU Tiranë, z. Florenc Tabaku, zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e Misionit Lituanez në Shqipëri, në kuadër të mbështetjes për procesin e vlerësimit dhe kategorizimit të stabilimenteve ushqimore me origjinë shtazore, si dhe të operatorëve të ushqimit për kafshë.
Takimi u përqendrua në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira për hartimin e Programit Kombëtar për Përmirësimin e Stabilimenteve, me synim përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, forcimin e kontrolleve zyrtare dhe garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorët.
Bashkëpunimi me ekspertët lituanezë mbetet një mbështetje e vlefshme për AKU-në, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve në sektorin ushqimor.













