Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, znj. Blerina Gjylameti, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku u prit në një takim nga drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës, z. Bekim Hoxha. Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve institucionale ndërmjet dy vendeve.
Në fokus të diskutimeve ishte vijimi i zbatimit të marrëveshjeve që synojnë lehtësimin e tregtisë dhe reduktimin e barrierave administrative, duke krijuar kushte më efikase për qarkullimin e produkteve ushqimore dhe bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Palët ndanë gjithashtu vlerësime mbi rëndësinë e harmonizimit të certifikatave dhe standardeve sipas modeleve të miratuara nga Bashkimi Europian, si një hap i rëndësishëm drejt përafrimit me praktikat më të mira europiane në fushën e sigurisë ushqimore.
Një tjetër çështje me rëndësi që u trajtua gjatë takimit ishte edhe forcimi i koordinimit në procedurat e gjurmimit dhe trajtimit të njoftimeve RASFF, me synimin për të garantuar reagim më të shpejtë, transparencë dhe siguri më të lartë për konsumatorët në të dy vendet.












