Komunikim i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në vijim të transparencës dhe informimit të publikut dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi, bën me dije se në kuadër të kontrolleve të ushtruara, Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së, përmes Sektorit të Monitorimit dhe Hetimit Ushqimor, referuar indicios së ardhur, ka kryer kontroll zyrtar në një subjekt me aktivitet “Baxho/Përpunim qumështi” në qarkun e Fierit.

Gjatë kontrollit zyrtar, trupa inspektuese konstatoi se subjekti ushtronte aktivitetin në mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore, nuk implementonte sistemin e vetëkontrollit (HACCP), si dhe tregtonte produkte pa etiketë. Për këto shkelje, u vendos masa e bllokimit për një sasi produktesh të pasigurta, konkretisht:

  • ​1400 (një mijë e katërqind) kg krem gjalpi;
  • ​2415 (dy mijë e katërqind e pesëmbëdhjetë) kg moxarella;
  • ​90 (nëntëdhjetë) kg gjalpë i freskët lope;
  • ​100 (njëqind) kg gjizë;
  • ​18 (tetëmbëdhjetë) kg moxarella (kova).
    ​Informojmë se për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit është marrë masa administrative “Gjobë” në vlerën e 250.000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë, ndërsa produktet e pasigurta janë bllokuar me destinacion asgjësimin e tyre.
    ​AKU garanton konsumatorët se do të vijojë kontrollet rigoroze në mbrojtje të shëndetit publik dhe inkurajon qytetarët që t’i drejtohen AKU-së në çdo rast që konstatojnë cenim të sigurisë ushqimore në emailin zyrtar info@aku.gov.al, si dhe në numrin e gjelbër 08007575.

#siguriaushqimoresigurikombëtare

#bashkëpërsigurinëushqimore

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme