Njoftim për publikun

Në kuadër të transparencës dhe të informimit të publikut, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se, menjëherë pas informimit të një investigimi televiziv mbi therjen dhe tregtimin e mishit në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare në qytetin e Peshkopisë, ka kryer inspektim në terren përmes Drejtorisë Rajonale Dibër, në këtë operator biznesi ushqimor, ku u konstatuan shkelje të detyrimeve ligjore që lidhen me sigurinë ushqimore, me kontrollin dhe certifikimin e mishit të therur.

Paralelisht, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) dhe strukturat e tjera përgjegjëse, u krye verifikimi i plotë i aktivitetit të thertores dhe tregut përkatës, për të siguruar që çdo produkt që del në treg t’i nënshtrohet kontrolleve të plota veterinare dhe të jetë i vulosur sipas standardeve në fuqi.

Nga kontrolli rezultoi se subjekti “Merita Vani”, që ushtronte aktivitetin e tregtimit me pakicë të mishit, operonte në mungesë të dokumentacionit të kërkuar dhe në shkelje të standardeve higjieno-sanitare. Po ashtu, u konstatua se një sasi mishi ishte therur pa praninë e veterinerit dhe pa vulosje ligjore, duke rrezikuar sigurinë ushqimore.

Si rezultat, ndaj subjektit u morën masa të menjëhershme administrative, në zbatim të Ligjit nr. 87/2012 dhe Aktit Normativ nr. 4, datë 16.08.2012, të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e rregullave për therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit të tyre”, përfshirë:

-Bllokimin e ushtrimit të aktivitetit;

– Mbylljen e përkohshme të dyqanit deri në plotësimin e kushteve të nevojshme ligjore dhe higjieno-sanitare.

AKU vijon monitorimin e tregut për të garantuar që vetëm produkte të kontrolluara, të vulosura dhe të certifikuara të qarkullojnë për konsum publik, duke mos toleruar asnjë rast që cenon shëndetin e qytetarëve dhe besimin e konsumatorit.

AKU falenderon median për paraqitjen e rastit dhe inkurajon çdo person që të bashkëpunojë  për denoncimin e rasteve të tregtimit  të  ushqimeve në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare dhe jashtë çdo standardi të sigurisë ushqimore.

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme