Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon me rigorozitet kontrollet e ngarkesave me mallra ushqimore në Pikat e Inspektimit Kufitar, me qëllim parandalimin e praktikave të paligjshme nga Operatorët e Biznesit në të gjithë zinxhirin ushqimor dhe marrjen e masave për parandalimin e pasojave shëndetësore tek konsumatorët. Kështu AKU, nga kontrollet e kryera në Pikën e Inspektimit Kufitar Morinë ka bllokuar dy ngarkesa produktesh me kafe dhe qumësht pluhur.
1. Nga kontrolli i ushtruar në një ngarkesë me 375 kg “Kafe Espresso D-CAFFE”, nisur nga Kosova me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri, trupa inspektuese gjatë kontrollit në kufi ka konstatuar se produktit “Kafe Espresso D-CAFFE” i kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma (1/2) e jetëgjatësisë. Për rrjedhojë, nuk plotësonte kërkesat ligjore të parashikuara në pikën 2 të Urdhërit Nr.250, datë 29.07.2011 “Mbi disa masa për hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të produkteve ushqimore” dhe si e tillë nuk ishte e përshtatshme për konsum.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, trupa inspektuese nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë, ngarkesa me këtë produkt ushqimor u kthye në vendin e origjinës.
2. Nga kontrolli i ushtruar në praktikën e importit të një ngarkesë me 21,600 kg qumësht pluhur, nisur nga Serbia me qëllimin për t’u tregtuar në Shqipëri, trupa inspektuese ka konstatuar se subjekti importues nuk është i licencuar për shitje me shumicë të ushqimeve me origjinë shtazore për konsum human (nuk ka licencën përkatëse për aktivitetin me Kod II-1B).
Në bazë të legjislacionit në fuqi, trupa inspektuese mori masën administrative “Bllokim” të sasisë prej 21.6 ton qumësht pluhur, me urdhër kthimin e produktit në vendin e origjinës.
Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.
PËR SIGURINË E USHQIMIT QË KONSUMON DHE RUAJTJEN E SHËNDETIT TËND, BASHKËPUNO ME AKU
info@aku.gov.al | “ShqipëriaqëDuam” | 08007575 (pa pagesë) ” | Tel: 042254052