AKU KONTROLLE NË ZONAT RURALE, MBYLL 2 SUBJEKTE NË QARKUN E LEZHËS

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shtuar vëmendjen në marketet/stabilimetet e zonave rurale duke bërë të mundur ndalimin e tregtimit të ushqimeve jashtë kritereve të sigurisë ushqimore. AKU njofton se këto kontrolle do të vazhdojnë të jenë intensive për të mos lejuar askënd të cenojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve në vendin tonë.

Konkretisht, trupat inspektuese e DRAKU, Lezhë konstatuan dy subjekte me mungesë të kushteve higjieno-sanitare si dhe mungesë të dokumentacionit përkatës që çoi deri në mbylljen e tyre.

Në subjektin me aktivitet “përpunim prodhim mishi” i cili ishte i pa regjistruar në QKB kishte mungesë të kushteve të përshtatshme higjeno-sanitare si dhe produkte pa etiketë të miratuar. Ndaj subjektit “Fridion” u mor masa administrative e ndërprerjes së aktivitetit përpunues si dhe u bë bllokimi i produktit 200 kg mish derri, masë administrative me gjobë 1 350 000 lekë.

Ndërsa në subjektin me aktivitet “Supermarket” u konstatuan kushte të rënda higjieno-sanitare, si dhe mungesë të plotë të dokumentacionit. Ndaj subjektit “Ardian Ndoj” u mor masë administrative gjobë, 400.000 lekë si dhe ndërprerje e aktivitetit deri në përmirësimin e shkeljeve të konstatuara.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

Date: 28.11.2018


 

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme