HANI I HOTIT/ AKU BLLOKON DHE KTHEN NË ORIGJINË 11.6 TON BIRRË, ISHIN NË PRAG SKADENCE

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, veçanërisht në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, ka shtuar vëmendjen e kontrolleve edhe në pikat kufitare me fokusin tek subjektet që sjellin produktet e importuara duke neglizhuar apo shkelur rregullat e Sigurisë ushqimore.

Trupat inspektuese e DRAKU, Shkodër kanë konstatuar dhe bllokuar 11.615 ton birrë për shkak se afati i skadencës së produktit ishte afër datës së deklaruar në etiketë ose në dokomentacionin shoqërues.

Konkretisht, nga kontrolli fizik i ngarkesës së produktit “birrë” nga ana e trupës inspektuese në pikën doganore të Hanit të Hotit u konstatua se, ky produkt me origjinë nga Estoni – Meksiko , eksportuar nga Mali i Zi, nuk respektonte urdhërin e ministrit Nr.250 dt 29.07.2011 ku ndalohen importet e produkteve në prag skadence.

Sa më sipër, Aku ndaloi hyrjen e ngarkesës në sasinë 11.615 ton në teritorin e Shqipërisë dhe kthimin e saj në vendin e origjinës.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.

Gjithashtu, inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.


 

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme