AKU GODET THERTORET ILEGALE NË PËRMET DHE BURREL

Në vazhdën e punës për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të produkteve shtazore në funksion të sigurisë ushqimore dhe në kuadër të masave të përforcuara gjatë sezonit turistik, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konfiskuar 331 kg mish në Përmet dhe Burrel për shkak të kushteve të rënda higjeno – sanitare ku kryheshin aktivitetet ilegale.
Konkretisht, në Përmet u kap në flagrancë shtetasi, Astrit Liçaj i cili kryente therje të jashtëligjshme, në një ambient të paregjistruar (në oborrin e shtëpisë së tij) dhe këtij të fundit i’u konfiskua sasia e mishit të gjetur prej 21 kg si dhe i’u sekuestruan veglat e punës: 3 thika, 1 hanxhar dhe 6 çengela. Për shkeljet e mësipërme përveç masës administrative së bllokimit të produktit dhe konfiskimit të mjeteve të punës (3 thika, 1 hanxhar dhe 6 çengela.), u morën edhe masat administrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë si dhe ndalim i menjëhershëm i aktivitetit.

Ndërsa, trupa inspektuese e DRAKU, Dibër ka konstatuar se shtetasi Ilir Lleshi therte në mënyrë të jashtëligjshme produktin mish. Në momentin e kontrollit u konstatua produkti mish pa vulë si dhe të pa shoqëruar me certifikatë veterinare. Këtij subjekti i’u bllokua 310 kg mish përkatësisht: mish vici 275 kg, mish qingji 35 kg si , 6 krere gjedh ku 3 prej tyre ishin pa matrikuj. Për shkeljet e mësipërme përveç masës administrative së bllokimit të produktit dhe konfiskimit të mjeteve të punës (cengelat, thika, trung mishi dhe peshore), u morën edhe masat administrative me gjobë në vlerën 400.000 lekë si dhe ndalim i menjëhershëm i aktivitetit.

Theksojmë se kjo është hera e dytë që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit merr të njëjtat masa ndaj shtetasit, Ilir Lleshi, si person fizik.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produkteve shtazore duke kërkuar informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me certifikatë veterinare, kuponin tatimor, si mjet për sigurinë e gjurmueshmërisë së produktit. Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme