Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, znj. Blerina Gjylameti, mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të projektit PEVULOS, një nismë e rëndësishme për forcimin e edukimit, kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit institucional në fushën e shëndetit publik veterinar dhe sigurisë ushqimore.
Një nga rezultatet kryesore të projektit është zhvillimi dhe zbatimi, në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, i Programit të Specializimit në Shëndetin Publik Veterinar dhe Sigurinë Ushqimore, i cili sjell metodologji bashkëkohore të mësimdhënies, më shumë mundësi për praktikë dhe zhvillim profesional.
Gjatë aktivitetit, znj. Gjylameti theksoi gatishmërinë e AKU-së për të thelluar bashkëpunimin me Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke forcuar lidhjen ndërmjet formimit akademik dhe nevojave konkrete të institucioneve përgjegjëse për kontrollin zyrtar, zbatimin e legjislacionit dhe garantimin e sigurisë ushqimore.
Investimi në dije, profesionalizëm dhe bashkëpunim institucional është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.








