Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor në sistemin parauniversitar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit u zhvillua një mbledhje pune me fokus forcimin e kontrolleve dhe masave për garantimin e sigurisë ushqimore pranë dhe në mjediset e institucioneve arsimore në të gjithë vendin.
Në fokus të veçantë do të jenë Operatorët e Biznesit Ushqimor (OBU) që ushtrojnë aktivitet në afërsi apo në brendësi të shkollave, me qëllim që çdo produkt ushqimor i ofruar për nxënësit të përmbushë kërkesat dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, Znj. Blerina Gjylameti, kërkoi angazhim maksimal të strukturave të kontrollit, monitorim të vazhdueshëm dhe reagim të shpejtë ndaj çdo problematike që mund të cenojë sigurinë e konsumatorit.
Kontrollet do të vijojnë me intensitet, duke synuar parandalimin e problematikave dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë.
Siguria ushqimore e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët dhe një prioritet i padiskutueshëm.








