Takim mes AKU – Dogana për rritjen e sigurisë ushqimore në Pikat e Inspektimit Kufitar

Rritja e efikasitetit të kontrolleve në Pikat e Kalimit Kufitar dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional bashkoi sot Drejtoreshën e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Znj. Blerina Gjylameti dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Z. Besmir Beja.
Parandalimi i rrezikut që cenon sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorit, nëpërmjet konsolidimit të kontrolleve të përbashkëta ishte fokusi i diskutimit.
Znj. Gjylameti në fjalën e saj, theksoi vijimin e investimeve në përmbushjen e standardeve të kërkuara tekniko – ligjore, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës në pikat e inspektimit kufitar, përfshirë magazinat, ambientet frigoriferike dhe laboratorët e kontrollit; si mjete kyç në garantimin e sigurisë ushqimore.
Z. Beja theksoi rëndësinë e shkëmbimit në kohë reale dhe sistematikisht të informacionit, duke nxitur ndërhyrjet inteligjente, me qëllim kryerjen e kontrolleve bazuar në analizën e riskut.
Misioni i përbashkët mbetet mbrojtja e konsumatorit dhe garantimi rigoroz i standardeve të importit, me prioritet bazë sigurinë ushqimore. Në përfundim të takimit drejtuesit e institucioneve dakordësuan mbi intensifikimin e mekanizmave të koordinimit dhe ngritjen e praktikave të përbashkëta të kontrollit, posaçërisht në Pikat e Inspektimit Kufitar.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë përforcimin e bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese në mbrojtje të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të konsumatorëve.
Siguria Ushqimore – Siguri Kombëtare.

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme