Në kuadër të transparencës, informimit të vazhdueshëm të publikut dhe garantimit të sigurisë ushqimore, si dhe bazuar në njoftimin e ardhur nga subjekti ROSSMANN & LALA lidhur me tërheqjen nga tregu të produktit “BEBA Supreme Pre 800 g”, me EAN: 713287226631 dhe datë skadence 05/2027, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon konsumatorët si më poshtë:
Nga verifikimet e kryera rezulton se subjekti ka importuar gjithsej 186 copë të këtij produkti, nga të cilat 114 copë janë eksportuar në Kosovë, përpara shpërndarjes në tregun vendas.
Për sasinë e mbetur prej 72 copësh, e cila është shpërndarë në pikat e shitjes të subjektit në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë ndërmarrë masa të menjëhershme dhe efektive për tërheqjen nga tregu, duke bërë të mundur rikthimin e 68 copëve të produktit.
Për 4 copët e mbetura, të cilat mund të jenë blerë nga konsumatori, subjekti ka realizuar njoftimin e menjëhershëm të tyre, me qëllim që produkti të mos konsumohet, por të kthehet në pikat e shitjes përkatëse, në përputhje me procedurat e sigurisë ushqimore.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bashkëpunim me subjektin përkatës, ka ndjekur në mënyrë aktive të gjithë procesin e menaxhimit të situatës dhe është në monitorim të vazhdueshëm, me synim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore.
AKU siguron publikun se mbetet plotësisht i angazhuar dhe i gatshëm për të ndërmarrë çdo masë të nevojshme, duke ftuar njëkohësisht konsumatorët të tregojnë kujdes dhe të bashkëpunojnë në respektim të njoftimeve zyrtare.
#bashkëpërsigurinëushqimore



