Drejtoria e AKU-se në Durrës ka ndërmarrë një aksion, për kontrollin e akseve hyrëse – dalëse në qarkun e Durrësit, në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së , Z.Isuf Shehu, për inspektimin e mjeteve të cilat transportojnë produkte ushqimore me origjinë shtazore dhe joshtazore .
Gjatë kontrollit në akset rrugore , në rrugët hyrëse të Plazhit, Ura –Plepa, në hyrjet e autostradës Tiranë-Durrës , rrethrrotullimit të Royal Gazit dhe Ura e Dalanit, një pjesë e madhe e makinave që transportonin produkte ushqimore me origjinë shtazore dhe joshtazore, respektonin legjistacionin në fuqi për transportin e këtyre produkteve, por inspektorët e DRAKU Durrës kanë hasur edhe tri raste të cilat ishin në shkelje të hapur të ligjit për transport të këtyre produkteve, ndaj të cilëve janë marrë edhe masa. Konkretisht ndaj stabilimentit të tregtimit dhe të përpunimit të qumështit me emër ligjor Jorgji Mihani, të gjitha produktet që përpunonin dhe tregtonin nuk kishin etiketim dhe ndaj tyre u mor masa me vlerë 100 mijë lekë. Gjithashtu u krye konfiskimi i një sasie prej 180 litra qumësht në një makinë transporti që tregtonte qumësht dhe bulmet, pasi produkti nuk ruhej në temperaturën e duhur, shoferi i automjetit nuk ishte i pajisur me librezën shëndetësore dhe vetë subjekti në emër të të cilit transportohej, nuk kishte nipt apo kod fermeri. Është sekustruar gjithashtu, edhe një sasi prej 21 kg mish në një tjetër makinë transporti, pasi nuk kishte dokumentacion të rregullt dhe nuk ishte i regjistruar në organet tatimore. I gjithë aksioni i ndërmarrë nga DRAKU Durrës është mbështetur edhe nga Policia e Shtetit, ndërkohe që vetëm ditën e djelë, janë kontrolluar 18 automjete që transportonin produkte ushqimore, kryesisht me origjinë shtazore, ndërsa 15 kanë rezultuar Brenda parametrave të lejuara.
Ndërkohë bazuar në urdhrin 1087 të Drejtorit të Përgjtihëm të AKU-së , aksione në akset hyrëse dhe dalëse, për sigurinë e transportit të produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe joshtazore, do të kryhen në të gjitha qarqet e vendit.

04/04/2016



