Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, znj. Blerina Gjylameti, mori pjesë në Konferencën e 4-t Ndërkombëtare për Shëndetin Publik dhe Mjedisin, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë dhe kontribuuan me ekspertizën e tyre akademikë dhe personalitete të njohura të shkencës shqiptare, ndër ta Prof. Dr. Besnik Bare dhe Prof. Genc Sulçebe, të cilët ndanë perspektiva dhe vlerësime mbi sfidat bashkëkohore të shëndetit publik dhe mbrojtjes së mjedisit.
Gjatë konferencës u diskutuan sfidat dhe perspektivat për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit, ku siguria ushqimore mbetet një hallkë kyçe në garantimin e mirëqenies së konsumatorëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Qëllimi i kësaj konference është krijimi i urave të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, në kontribut të politikave dhe strategjive për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon angazhimin për forcimin e standardeve të sigurisë ushqimore, në bashkëpunim me institucionet shkencore dhe partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë.













