Në bazë të urdhrit të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, datë 26.3.2026 “Për vlerësimin dhe kategorizimin e stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqim për kafshë, në funksion të përgatitjes së programit kombëtar të përmirësimit të këtyre stabilimenteve”, u zhvillua në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit një trajnim me trupat vlerësuese të cilët do të kryejnë në terren vlerësimin dhe kategorizimin e stabilimenteve të ushqimeve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë.
Sektori Koordinimit të Kontrollit zyrtar pranë Drejtorisë së Përgjithshme, kreu një trajnim teorik për mënyrën se si do të kryhet ky proces. Gjatë kësaj jave do të nisë në terren trajnimi praktik i trupave vlerësuese për vlerësimin dhe kategorizimin e stabilimenteve që kryejnë aktivitet të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë. Procesi i vlerësimit dhe kategorizimit nga trupat vlerësuese do të nisë në terren më datë 14 Prill.







