Në tryezën teknike të organizuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik Kombëtar, me pjesëmarrjen e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, Drejtorit të Përgjithshëm të AKVMB-së, z. Roland Meçaj, zv. Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Arjan Jaupllari, si dhe biznesit të përpunimit të mishit, u theksua rëndësia e bashkëpunimit për përmirësimin e standardeve dhe praktikave të inspektimit në funksion të sigurisë ushqimore dhe integrimit në tregun e përbashkët europian. Në fokus të diskutimeve ishte harmonizimi me kërkesat e Bashkimit Evropian përmes zbatimit të sistemit HACCP, forcimit të gjurmueshmërisë për eksportet dhe importet, deklarimit të saktë të aditivëve në etiketa, mirëmbajtjes së stabilimenteve dhe përmirësimit të protokolleve për marrjen dhe analizimin e mostrave.
AKU theksoi se industria e përpunimit të mishit mbetet një nga sektorët më të organizuar, por që kërkon përmirësim të vazhdueshëm për të përmbushur plotësisht standardet europiane. AKU rikonfirmoi angazhimin për të përmirësuar metodologjinë e inspektimit dhe për të forcuar bashkëpunimin me biznesin në identifikimin e problematikave dhe gjetjen e zgjidhjeve konkrete, duke garantuar mbështetje për operatorët korrektë dhe tolerancë zero ndaj çdo praktike që cenon sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorit.
#siguriaushqimoresigurikombëtare
#bashkëpërsigurinëushqimore















