AKU NDALON HYRJEN E 387.1 TON PRODUKTEVE USHQIMORE TË PASIGURTA NË TERRITORIN SHQIPTAR: 234.5 TON MISH JANË KTHYER NË VENDIN E ORIGJINËS DHE 152.6 TON TË TJERA JANË NË PROCES KTHIMI

Në kuadër të mbarëvajtjes të sezonit turistik veror, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon monitorimet rigoroze për cilësinë dhe efektivitetin e kontrolleve zyrtare të ushqimit, si në terren, ashtu dhe në Pikat e Inspektimit Kufitar.

Kontrollet e kryera nga inspektorët e ushqimit të AKU në Pikën e Inspektimit Kufitar Durrës gjatë ditëve të fundit kanë konkluduar se disa ngarkesa me produkte importi janë të pasigurta për konsum njerëzor dhe si rrjedhojë kanë vendosur për kthimin e tyre në vendin e origjinës. Më konkretisht:

  • Tre ngarkesa me sasi totale 74.946 ton “Mish Derri” me origjinë nga Kanadaja, rezultuan se nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore dhe kishin mangësi në besueshmërinë e dokumentacionit shoqërues (kryesisht të certifikatës veterinare si dokumenti kryesor i sigurisë së produktit, si dhe certifikatat e analizave raportonin prezencë Ractopaminë, një produkt mjekësor veterinar i paregjistruar dhe i ndaluar për përdorim në Shqipëri dhe në BE).
  • Dy ngarkesa me sasi totale 52.257 ton “Mish Viçi” me origjinë nga Brazili, në rregjim tranzit në territorin e Shqipërisë me destinacion final Kosovën, rezultuan me mangësi dhe mospërputhje thelbësore në dokumentacionin shoqërues të mallit (certifikata e origjinës dhe ajo veterinare mbanin të dhëna të ndryshme nga dokumenti i transportit dhe fatura komerciale), çka e bën mallin ushqimor të importuar pa identitet të konfirmuar dhe të pasigurt për konsum.

Më herët, analizat e kryera për disa nga ngarkesat me produkte ushqimore mish të importuar rezultuan me ngarkesë mikrobiologjike (analizat laboratorike raportuan prezencën e Salmonella spp) dhe si rrjedhojë, produkti ushqimor i importuar me këto ngarkesa është i pasigurt dhe i papërshtatshëm për konsum njerëzor. Për ketë arsye dhe referuar bazës ligjore dhe rregullatore në fuqi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vendosi kthimin e këtyre ngarkesave në vendin e origjinës, më konkretisht:

  • Katër ngarkesa me sasi totale 107.240 ton “Mish derri” me origjinë nga Brazili, është finalizuar praktika dhe ngarkesat janë kthyer në vendin e origjinës.
  • Gjashtë ngarkesa (152.631 ton në total) janë në proces përmbyllje praktike për kthimin ne vendin e origjinës ose asgjësim, më konkretisht:
    • 51.984 ton “Mish Derri” me origjinë nga Brazili,
    • 27 ton “Fileto Pule” nga Brazili,
    • 25.999 ton “Mish Derri” nga Brazili,
    • 22.648 ton “Mish Viçi” nga Brazili, 
    • 25 ton “Mish Derri” me origjinë nga Qipro, 

Dhe me finalizimin e praktikës për kthimin në vendin e origjinës ose asgjësim, rezultati do të njoftohet në rrjetin Europian të shkëmbimit të informacionit mbi rreziqet që lidhen me ushqimin (RASFF).

 

Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.

PËR SIGURINË E USHQIMIT QË KONSUMON DHE RUAJTJEN E SHËNDETIT TËND, BASHKËPUNO ME AKU 

info@aku.gov.al     |     “ShqipëriaqëDuam”    |    08007575 (pa pagesë) ”    |    Tel: 042254052

 

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme