Njoftim për marrje masash në luftimin e sëmundjes së patates në subjektet që prodhojnë produktin ushqimor “bukë”

Me ardhjen e stinës së verës dhe me rritjen e temperaturave në vendin tonë të gjitha produktet ushqimore janë potencialisht më të rrezikuara për tu dëmtuar apo prishur në rast se nuk kryen procedurat e përshtashme të ruajtjes së tyre.

Një ndër produktet e rrezikuara gjatë kësaj periudhe është edhe produkti ushqimorë “bukë”, në të cilën gjatë kësaj periudhe kur temperaturat janë të larta shfaqet “Sëmundja e patates”.  Shkaktar i sëmundjes së patates është bacili i patates, i cili ndodhet në miell. Në kohën e pjekjes së bukës, sporet e bacilit nuk eliminohen, prandaj duke u ndodhur në bukë, ata mund të formojnë qeliza bakteriale.

Kushtet më të përshtatshme për zhvillimin e qelizave bakteriale janë temperatura, lagështia dhe reaksioni i ambientit neutral. Nën ndikimin e fermenteve të bacillit të patates, tuli i bukës shpërbëhet, bëhet ngjitës. Nga prishja e tij zgjaten fije të gjata të cilat më tej kthehen në një masë mukoze me aromë të pakëndëshme.

Sëmundja e patates shfaqet në bukë vetëm nga infektimi i fortë i miellit me spore nga lagështia e madhe, aciditeti i ulët i prodhimit dhe nga ruajtja e gjatë e bukës në vende të ngrohta. Shenjat e sëmundjes vihen re pas 12 orësh nga pjekja. Nga kjo sëmundje infektohen vetëm buka e grurit dhe simitet. Për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së patates, nga ana Juaj nevojitet të kontrollohet shkalla e infeksionit të miellit të grurit nga bacili i patates. Të gjithë prodhuesit e bukës janë të detyruar të kontrollojnë rezistencën e bukës duke bërë analizën e një mostre të produktit.

Përveç sa trajtuar, me rëndësi të madhe është përmbushja e të gjitha kritereve të kërkuara sipas legjislacionit në fuqi, konkretisht të paketës higjienike ku përfshihen Udhëzimin Nr.22 datë 25.11.2010 “Për kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të higjienës për stabilimentet e ushqimit dhe operatorët e biznesit ushqimorë”, Udhëzimin Nr.20 datë 25.11.2010 “Për zbatimin e programeve paraprake, të praktikave të mira të higjenës, praktikave të mira të prodhimit dhe proçedurave të bazuara në analizën e rreziqeve dhe pikave kritike të kontrollit (HACCP) në stabilimentet ushqimore”. Kjo do të thotë që  për çdo OBU duhet: përdorim i miellit dhe i lëndëve të para të shoqeruara me raport analizat përkatëse, dezinfektim të ambienteve të furrës, ruajtje e bukës në kushte normale të temperaturës dhe të ajrosjes, por në të njëjtën kohë dhe përmbushje e standardeve të tjera të higjienës.

Për sa më sipër, kërkohet nga ana Juaj marrja e masave të nevojshme për parandalimin e përhapjes së sëmundjes së patates, si dhe njoftimin pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për çdo shenjë të shfaqjes së kësaj sëmundjeje dhe masat e marra nga ana Juaj.

Marrja e masave paraprake, autokontrolli dhe njoftimi vullnetar janë masa të cilat mundësojnë eliminimin me efikasitet të këtij fenomeni gjatë kësaj përiudhe.

Gjithashtu sjellim në vëmendje se në zbatim të kërkesave ligjore kreu VI të Ligjit Nr. 9863 datë 28.01.2008 “Për ushqimin” i ndryshuar, Operatorët e Biznesit Ushqimor mbajnë përgjegjësi për çdo dëmtim të shëndetit të njerëzve të shkaktuar nga konsumi i ushqimit tё rezultuar të pasigurt, në të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes.

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme