Njoftim për Media

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit  në lidhje me lajmet nëpër media se importohet “mish i kalbur viçi nga Brazili” bën me dije se, nga periudha nëntor 2016 –mars 2017 janë importuar nga Republika Federale e Brazilit drejt Republikës së Shqipërisë, vetëm ngarkesa me mish pule dhe ngarkesa me mish derri.

Sqarojmë se të gjitha ngarkesat e importuara drejt Shqipërisë plotësojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi për ushqimin, si dhe kërkesat e marrëveshjes me urdhër Nr.294, datë 13.06.2006. “ Mbi importin e mishit nga Republika Federale e Brazilit “ e arritur midis Autoriteteve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Brazilit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se, Shqipëria importon nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian, shoqëruar nga certifikata veterinare të miratuara nga autoritetet veterinare qendrore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Brazilit.

Gjithashtu ju bëjmë me dije se, nga sistemi RASFF(Rapid Alert System for Food and Feed) , sistemi i lajmërimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë, instrument i Komisionit Europian i krijuar për të garantuar ndjekjen e informacionit ndërkufitar, për të reaguar, në mënyrë të menjëhershme në rast rreziku ndaj shëndetit të konsumatorëve, nuk ka një  njoftim të tillë për Shqipërinë për problematikën në fjalë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pavarësisht se nuk ka alert nga sistemi RASFF, për të gjitha ngarkesat me mish pule dhe mish derri të importuara së fundmi në Shqipëri nga Republika Federale e Brazilit, ka bërë bllokimin e tyre, deri në përgjigjen e analizave  prej  mostrave të marra nga këto  produkte.

Sqarim për Media

Sqarim në lidhje me keqkuptimin e lajmit të nisur sot nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në lidhje me importin e mishit nga Republika Federale e Brazilit.

Në lidhje me çfarë është publikuar në media gjatë ditës së sotme, referuar e-mailit të dërguar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, kanë ndodhur disa keqkuptime dhe keqinterpretime me paragrafin e fundit të këtij njoftimi.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pavarësisht se nuk ka alert nga sistemi RASFF, për të gjitha ngarkesat me mish pule dhe mish derri të importuara së fundmi në Shqipëri nga Republika Federale e Brazilit, ka bërë bllokimin e tyre, deri në përgjigjen e analizave prej mostrave të marra nga këto produkte”. Ky është paragrafi i plotë i nisur nga Zyra e Shtypit në AKU dhe duke qenë se u krijua një situatë e tillë, ju bëjmë me dije se:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nuk ka bllokuar importin e mishit nga Republika Federale e Brazilit. AKU  ka bllokuar sasi produkti të mishit të importuar nga Brazili për t’u analizuar, sipas procedurës standarde në raste dyshimesh apo rreziqesh në mundshme. Që nga data 23 mars 2017, AKU ka marrë mostra në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK), të çdo ngarkese të ardhur me mish derri apo pule nga Brazili, për t’i analizuar. Këto sasi nuk do të lejohen të dalin në treg për konsumatorin, deri në rezultatin e përgjigjeve nga laboratorët e AKU dhe Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Përsa më sipër, kërkojmë bashkëpunimin tuaj për sqarimin e këtij lajmi, i cili është keqkuptuar dhe që mund të shkaktojë panik tek konsumatori ose keqinterpretim tek importuesit e mishit.

27/03/2017

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme