Neni 288
Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve
Importimi, prodhimi, ruajtja, shitja apo vendosja në qarkullim në ndonjë mënyrë tjetër i ushqimeve ose futja në prodhimin e artikujve ushqimorë e kimikateve, materialeve apo lëndëve shtesë, që rrezikojnë shëndetin ose jetën e njerëzve, në shkelje të kërkesave të legjislacionit të posaçëm, dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur nga kjo vepër ka ardhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Kur nga vepra është shkaktuar vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet e pesë vjet.”
Neni 21
Pas nenit 288/b shtohen nenet 288/c dhe 288/ç me këtë përmbajtje:
Neni 288/c
Mashtrimi me produktet ushqimore
Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi për shitje, falsifikimi, shitja apo vendosja në qarkullim në ndonjë mënyrë tjetër e ushqimeve, materialeve ose lëndëve shtesë në prodhimin e përpunimin e artikujve ushqimorë, në të cilët janë shënuar të dhëna të cilat nuk i korrespondojnë përmbajtjes, llojit, kategorizimit, prejardhjes, sasisë apo cilësisë së produktit apo produkte pa të dhënat e mësipërme, siç parashikohet në legjislacionin në fuqi, ose paraqitja e të dhënave të rreme në etiketimin e produkteve ushqimore, që rrezikojnë shëndetin ose jetën e njerëzve, dënohet me burgim deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda për shëndetin e njeriut, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Neni 288/ç
Prishja e shenjave të sigurisë së organeve shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore
Prishja me dashje e shenjave të sigurisë, të vendosura nga organet shtetërore në fushën e sigurisë ushqimore për qëllime mbikëqyrjeje, kontrolli ose pezullimi të veprimtarisë tregtare në mjediset ekonomike, mbi mjetet e transportit ose mbi mallra, me qëllim lëvizjen e mallrave ushqimore ose rifillimin e aktivitetit, dënohet me burgim deri në tre vjet.”