Alergjitë Ushqimore

Alergjitë ushqimore janë reagime jonormale dhe të ekzagjeruara të sistemit imunitar ndaj ushqimeve të caktuara.

Kur dikush vuan nga një alergji ushqimore, sistemi i tij imunitar gabimisht e sheh ushqimin si armik dhe mekanizmi mbrojtës i trupit reagon. Nga ky shkak mund të shfaqen një serë simptomash, të cilat mund të variojnë nga kruajtjet e lehta, deri te vështirësitë e rënda të frymëmarrjes apo edhe goditje. Këto simptoma zakonisht shfaqen menjëherë pas konsumit të ushqimit.

Alergenët janë substanca tjetërsoj të padëmshme, por që në individë të ndjeshëm shkaktojnë reaksione të menjëhershme alegjike. Alergenët ushqimorë, në më të shumtën e rasteve, përfshihen në kategorinë e proteinave, por megjithatë edhe përbërës të tjerë ushqimorë, si aditivët, mund të shkaktojnë reaksione alergjike.

Reaksioni i kryqëzuar

Ndonjëherë, një person mund të pësojë reaksion alergjik pas konsumit të një proteine që është e ngjashme me një proteinë tjetër alergene. Për shembull:

  • Alergenët e gjendur në lateks janë të ngjashëm me disa prej alergenëve të gjendura në produkte ushqimore, të tilla si banania, avokado, gështenja, molla, karrota, selino, papaja, kivi, patatja, domatja dhe pjepri.
  • Alergjia nga poleni i pemëve mund të lidhet me alergjitë ndaj frutave.
  • Njerëzit që janë alergjik ndaj polenit të thuprës, janë gjithashtu alergjik ndaj mollëve, bajameve, pjeshkëve, kivit, karrotave, selinos, specave dhe lajthive.
  • Reaksionet alergjike të shkaktuara nga pjepri, domatet dhe portokajtë, është vertetuar si i ngjashëm me alergjitë e shkaktuara nga poleni i barit.

Çfarë ndodh gjatë një reaksioni alergjik?

Në thelb, kur sistemi imunitar reagon ndaj një përbërësi ushqimor, ai shkakton çlirimin e substancave kimike të tilla si histamina. Kjo shkakton simptomat e mëposhtme:

  • Kruarje ose ënjtje të gojës dhe grykëve
  • Njolla nëpër trup
  • Sekrecione
  • Skuqje të syve
  • Skuqje të lëkurës
  • Këputje
  • Diarre dhe/ose të vjellura

Nëse reaksioni është i rëndë, simptomat e tjera mund të përfshijnë:

  • Një ndjesi e papritur këputjeje (shkaktuar nga rënia e presionit të gjakut)
  • Probleme me frymëmarrjen

 

Cilat ushqime shkaktojnë reaksion alergjik?

Alergjitë ndaj kikirikut dhe arrave janë ndoshta më të njohurat, por çdo ushqim mund të shkaktojë një përgjigje alergjike te një person i ndjeshëm. Në mbarë botën dokumentohen alergjitë ndaj mbi 180 ushqimeve. Pjesa më e madhe e tyre janë shumë të rralla dhe disa lidhen me popullsi ose rajone të veçanta të botës.

Alergjia ndaj merlucit është e zakonshme në Skandinavi, alergjia ndaj orizit në Kinë dhe alergjia ndaj selinos në Francë. Këto alergji janë më pak të zakonshme në ishullin e Irlandës, ku alergjitë që hasen më shpesh përfshijnë ato ndaj kikirikëve, arrave, vezëve, krustaceve, qumështit dhe grurit.

Si diagnostikohet një alergji ushqimore?

  • Një kontroll fizik do të përjashtojë probleme mjekësore të mëtejshme.
  • Një historik i përmbledhur i dietës ushqimore duke përfshirë një përshkrim të simptomave dhe ushqimeve që dyshohet se i shkaktojnë këto simptoma.
  • Historiku i sëmundjeve atopike në familje, duke përfshirë çdo alergji të shkaktuar nga ushqimet ose materialet të tjera, çdo intolerancë ushqimore duke përfshirë sëmundjen e celiakisë dhe rastet e astmës, ekzemat, etj.
  • Pacienti do të udhëzohet të mbajë një ditar ushqimor, ku shënohen zakonet e të ushqyerit, simptomat dhe medikamentet e përdorura, me qëllim përcaktimin e problemeve.
  • Një dietë eleminuese mund të lidhë simptomat me ushqimet që i shkaktojnë ato. Kjo nuk këshillohet nëse reaksioni ka qenë agresiv.
  • Testet me shpime të lëkurës përdoren për të përcaktuar reagimin ndaj një sërë ushqimesh, ose për të parë nëse problemi mund të ishte shkaktuar nga alergenë të tjerë të zakonshëm, si pluhuri, qimet e maces ose poleni.
  • Testet e gjakut mund të përcaktojnë sa i fortë ishte reagimi i sistemit imunitar ndaj një alergeni. KËtu flasim për një test radioalergosorbent ose ‘RAST’, në të cilin matet niveli i antitrupave IgE – të cilat lidhen specifikisht me një reaksion alergjik ushqimor.

 

Çfarë është sindroma e alergjisë orale?

Në disa raste, reaksionet alergjike mund të kufizohen në zonën e gojës, buzëve, gjuhës ose fytit. Brenda një ore nga konsumi i ushqimit të dëmshëm, shfaqen simptoma të ngjashme me shpimin e gjilpërave dhe ënjtje Sindroma e alergjisë orale zakonisht lidhet me konsumimin e frutave dhe perimeve të freskëta. Pacientët shpesh ankohen se diçka u ka ngecur në fyt, por mundësitë që të kalojë në reaksione të rënda janë të pakta. Njerëzit me sindromën e alergjisë orale të shkaktuar nga frutat dhe perimet shpesh kanë një alergji të lidhur ndaj poleneve të caktuara dhe në sezonin e tyre, mund t’ju shkaktohen ethe.