Pyetje të Shpeshta mbi Etiketimin e Produkteve Ushqimore – Informacioni Ushqimor për Konsumatorët

 

Pyetje të Shpeshta mbi Etiketimin e Produkteve Ushqimore

 

Informacioni Ushqimor për Konsumatorët

 

  1. Cilat rregulla ligjore ekzistojnë në Shqipëri për etiketimin e ushqimeve të paketuara?

Vendimi i Këshillit të Ministrave VKM nr. 434, datë 11.07.2018 “Për Etiketimin e Ushqimit dhe Informimin e Konsumatori” hyri në fuqi nga data 19.07.2020. Kjo VKM është e përafruar me Rregulloren e BE -së nr. 1169/2011 “Për sigurimin e informacionit ushqimor për konsumatorët”.

Në përputhje me frymën e Rregullores së BE-së, Vendimi 434 datë 11.07.2018 ka për qëllim të vendosë bazën për sigurimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së konsumatorit nëpërmjet informacionit për ushqimin, duke marrë parasysh dallimet në perceptimin e konsumatorëve dhe nevojat e tyre për informacion, si dhe duke siguruar funksionimin normal të tregut.

Ky vendim përcakton parimet e përgjithshme, kërkesat dhe përgjegjësitë kryesore që rregullojnë informacionin për ushqimin dhe, në veçanti, etiketimin e produkteve ushqimore. Ai përcakton mjetet për të garantuar të drejtën për informim të konsumatorëve dhe procedurat për sigurimin e informacionit për ushqimin, duke marrë parasysh nevojën për të siguruar fleksibilitet të mjaftueshëm për t’iu përgjigjur zhvillimeve të ardhshme dhe kërkesave të reja të informimit.

Vendimi është i zbatueshëm për:

 a) Operatorët e biznesit ushqimor, në të gjitha fazat e zinxhirit ushqimor ku aktiviteti i tyre ka të bëjë me dhënien e informacionit për ushqimin për konsumatorët;

b) Të gjitha ushqimet e destinuara për konsumatorin e fundit, duke përfshirë edhe ushqimet e ofruara nga furnizues masivë ushqimesh dhe ushqime të destinuara për furnizim për shërbimin cattering;

c) Shërbimet e cattering-ut të ofruara nga ndërmarrjet e transportit.

Ky vendim zbatohet pa cënuar kërkesat e etiketimit të parashikuara në dispozita të veçanta, të zbatueshme për produkte të veçanta ushqimore

Çdo produkt ushqimor i destinuar për furnizim për konsumatorin ose për furnizuesit e ushqimit duhet të shoqërohet me informacionin e ushqimit siç përcaktohet në Vendimin 434 datë 11.07.2018.

Vendimi përcakton përgjegjësitë e operatorit të biznesit ushqimor që është personi përgjegjës për informacionin e ushqimit, nën emrin e të cilit (ose të emrit tregtar të tij) kryhet tregtimi i produktit ushqimor. Në rast të produkteve ushqimore të importuara, personi përgjegjës do të jetë importuesi.

Me pak fjalë, Vendimi përcakton rregulla të reja specifike që duhet të respektohen në lidhje me të gjitha aspektet e etiketimit të produkteve ushqimore dhe informacionit për konsumatorët, duke shfuqizuar rregulloren e mëparshme të etiketimit të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1344, datë 10.10.2008 (VKM nr. 1344).

Të gjitha produktet ushqimore të destinuara për konsumatorët duhet të kenë etiketa në gjuhën shqipe dhe të përfshijnë emrin e produktit; përbërësit; sasinë e përbërësve të veçantë ose kategoritë e përbërësve; sasia/pesha/vëllimi neto; datën e skadencës; mënyrën e ruajtjes; paralajmërimet përkatëse për konsumatorin dhe adresën e plotë të importuesit.

Etiketa në gjuhën shqipe nuk është një kërkesë për eksportuesin, por më shumë për kompaninë importuese shqiptare, e cila duhet të vendosë etiketat para se produkti të hyjë në treg. Etiketat e në gjuhën shqipe të ngjitura në paketim janë të pranueshme kur etiketat e paketimit janë në një gjuhë të huaj.

 

  1. Çfarë informacioni është i detyrueshëm të shfaqet në etiketën e një produkti ushqimor të paketuar? (Neni 9, VKM 434 datë 11.07.2018)

 Është i detyrueshëm deklarimi i të dhënave të mëposhtme:

 a) Emri i produktit ushqimor;

 b) Lista e përbërësve;

 c) Çdo përbërës ose lëndë ndihmëse e përpunimit apo që vjen nga një substancë ose produkt i renditur në shtojcën II, që shkakton alergji ose intoleranca, i përdorur në prodhimin ose përpunimin e produktit ushqimor dhe që është ende i pranishëm në produktin përfun-dimtar edhe nëse në formë të ndryshuar;

 ç) Sasia e përbërësve ose e kategorive të caktuara të përbërësve sipas rendit zbritës;

 d) Sasia neto e produktit ushqimor;

 dh) Data e jetëgjatësisë minimale ose “të përdoret përpara” datës;

 e) Kushtet e veçanta të ruajtjes dhe/ose kushtet e përdorimit;

 ë) Emri ose emri tregtar dhe adresa e operatorit të biznesit ushqimor, të përmendura në pikën 1, të nenit 8;

 f) Shteti i origjinës ose vendi i prejardhjes, kur parashikohet në nenin 26;

 g) Udhëzimet e përdorimit, kur, në mungesë të tyre, përdorimi i duhur i produktit ushqimor do të ishte i vështirë;

 gj) Për pijet me mbi 1,2% të vëllimit me alkool, fortësinë aktuale alkoolike për vëllim;
 h) Deklaratën e vlerave ushqyese.

  1. Kush është përgjegjës për të siguruar saktësinë e informacionit të dhënë në etiketë? (Neni 8, VKM 434 datë 11.07.2018)
  1. Operatori i biznesit ushqimor, përgjegjës për informacionin ushqimor, është operatori nën emrin apo emrin tregtar të të cilit kryhet tregtimi i produktit ushqimor. Në rastin e produkteve ushqimore të importuara, përgjegjës për informacionin ushqimor është importuesi i tij.
  2. Operatori i biznesit ushqimor, përgjegjës për informacionin ushqimor, garanton praninë dhe saktësinë e informacionit ushqimor në përputhje me këtë vendim.
  3. Operatori i biznesit ushqimor nuk tregton produkte ushqimore, të cilat, në bazë të informacionit që ai zotëron si profesionist, nuk janë në përputhje me kërkesat e dispozitave të legjislacionit në fuqi për informacionin ushqimor.
  4. Operatori i biznesit ushqimor, në veprimtarinë e biznesit nën kontrollin e tij nuk modifikon informacionin që shoqëron një produkt ushqimor nëse një modifikim i tillë do të çorientonte konsumatorin e fundit ose do të ulte nivelin e mbrojtjes së konsumatorit e të mundësive të tij për të bërë zgjedhje të duhura. Operatori i biznesit ushqimor është përgjegjës për çdo ndryshim që i bëhet informacionit ushqimor që shoqëron një produkt ushqimor.

 

  1. A ka ndonjë përjashtim nga kërkesa për të dhënë këto të dhëna të detyrueshme? (Neni 16-19-20 + Shtojca X, VKM 434 datë 11.07.2018)

Po, ka disa përjashtime nga ofrimi i të dhënave të detyrueshme. Përjashtimet janë të detajuara në nenin 16 të VKM. Përveç kësaj, Neni 19 i VKM liston ushqimet që nuk kërkojnë një listë përbërësish dhe Shtojca X liston ushqimet të cilat përjashtohen nga kërkesa për të siguruar një datë të jetëgjatësisë minimale.

 

  1. A duhet një madhësie e caktuar e gërmave për informacionin e detyrueshëm? (Neni 13, VKM 434 datë 11.07.2018)

Informacioni ushqimor i detyrueshëm shënohet në një vend të dallueshëm, në mënyrë të tillë që të jetë lehtësisht i dukshëm, qartësisht i lexueshëm dhe të mos fshihet. Në asnjë mënyrë ai nuk duhet të jetë i fshehur, i errësuar, të kufizohet apo të ndërpritet nga ndonjë material tjetër i shkruar, imazh apo element ndërhyrës.

Informacioni i detyrueshëm printohet në paketim ose në etiketë, në mënyrë të tillë që të garantohet lexueshmëria e qartë, me shkronja me madhësi shkrimi ku lartësia x është e barabartë ose më e madhe se 1, 2 mm, siç përcaktohet në shtojcën IV VKM 434 datë 11.07.2018.

Në rastin e paketimit ose të enëve me sipërfaqe totale më të vogël se 80 cm2, lartësia x e madhësisë së shkrimit, të përmendur në pikën 2, është e barabartë ose më e madhe se 0,9 mm.

 

  1. A është e nevojshme të deklarohen informacionet e detyrueshme në gjuhën shqipe?

Informacioni ushqimor i detyrueshëm shfaqet në një gjuhë lehtësisht të kuptueshme nga konsumatorët, ku tregtohet produkti ushqimor.

Për produktet ushqimore të importuara, deklarimi i të dhënave të informacionit ushqimor duhet të jepet në gjuhën shqipe, në etiketën origjinale ose në kundëretiketë.

 

  1. Cilët janë 14 alergenët?

Substancat ose produktet që shkaktojnë alergji ose intoleranca

1- Drithërat me përmbajtje gluteni, përkatësisht: gruri, thekra, elbi, tërshëra ose linjat e tyre të hibridizuara dhe produktet e tyre, përveç:

a) Shurup glukoze me bazë gruri përfshirë dekstrozën;

b) Maltodekstrinë me bazë gruri;

c) Shurupit glukozë me bazë elb;

d) Drithërave të përdorura për distilate alkoolike, përfshirë alkoolin etilik me origjinë bujqësore;

2- Krustacët dhe produktet e tyre:

3- Vezët dhe produktet e tyre;

4- Peshku dhe produktet e tij, përveç:

a) Xhelatinës së peshkut që përdoret si bartës për vitaminat ose për përgatitjet e karotinoideve;
b) Xhelatinës së peshkut ose Isinglass që përdoret si agjent finiture në birrë dhe verë;
5- Kikiriku dhe produktet e tij;

6- Soja dhe produktet e saj, përveç:

a) Vajit të rafinuar të sojës dhe yndyrat;

b) Tokoferoleve të përzier natyrale (E 306), tokoferolit D-alfa natyral, acetatit tokoferol D-alfa natyral dhe tokoferolit suksinat D-alfa natyral me origjinë soje;

c) Vajrave bimore të përftuara nga fitosterolet dhe esteret të fitosteroleve me origjinë soje;
d) Ester stanolit bimor të prodhuar nga sterolet e vajit bimor me origjinë soje;

7- Qumështi dhe produktet e qumështit (duke përfshirë laktozën), përveç:

a) Hirrës së përdorur për distilate alkoolike, përfshirë alkoolin etilik me origjinë bujqësore;
b) Acidit laktik;

8- Frutat e thata, përkatësisht: bajamet (Amygdalus communis L.), lajthitë (Corylus avellana), arrat e buta (Juglans regia), arrat e shqemes (Anacardium occidentale), arrat hikore (Carya illinoinensis (Uangenh.) K.

9- Selinoja dhe produktet e saj;

10- Sinapi dhe produktet e tij;

11- Farat e susamit dhe produktet e tyre;

12- Dyoksidi i sulfurit dhe sulfitet të përqendruara më shumë se 10 mg/kg ose 10 mg/l të shprehura si total i SO2, të cilat duhet të llogariten për produktet të propozuara si të gatshme për konsum ose të riformuluara sipas udhëzimeve të prodhuesve;

13- Lupina dhe produktet e saj;

14- Molusqet dhe produktet e tyre;

 

  1. Si duhet të shfaqen informacionet mbi alergenët në etiketë? (Neni 21, VKM 434 datë 11.07.2018)

Substancat ose produktet e caktuara që shkaktojnë alergji ose intolerancë deklarohen në listën e përbërësve, me referencë të qartë të emrit të substancës ose të produktit.  Theksohet emri i substancës ose i produktit, nëpërmjet një radhitjeje që e dallon atë qartësisht nga pjesa tjetër e listës së përbërësve, për shembull, nëpërmjet shkrimit, stilit ose ngjyrës së sfondit.

Shembull: Në këtë shembull, përbërësit alergjikë janë të theksuar dhe të pjerrët.

Përbërësit: Miell (grurë), Sheqer, Vezë, Qumësht, Pluhur kakao.

 

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme