Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë vijuar gjatë ditës së sotme inspektimet në të gjithë vendin, në garantim të sigurisë ushqimore, ashtu si edhe monitorimet, në zbatim të akteve nomative kundër përhapjes së COVID-19. Veprimtaria ditore inspektuese e AKU, si më poshtë vijon:
Janë kryer 113 kontrolle zyrtare dhe monitorime.
Nga kontrollet e kryera në qytetin e Fierit, janë vendosur 2 masa administrative “Gjobë” në dy subjekte që tregtonin produktin “mish” pa vulë dhe pa certifikatë veterinare, në vlerën e 100.000 lekëve për secilën prej tyre. Gjithashtu është bërë bllokimi, në të dyja subjektet, i sasisë prej 21.3 kg mish me destinacion asgjësimin e tyre.
Nga kontrollet e kryera në Tiranë janë dhënë 8 masa administrative “Paralajmërim”.
Ndërsa në Shkodër janë dhënë 2 masa administrative “Paralajmërim”, referuar shkeljeve dhe mangësive të konstatuara.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi, do të jetë i pranishëm në të gjithë vendin me zero tolerancë ndaj kujtdo që tenton të abuzojë dhe përfitojë në kurriz të shëndetit të konsumatorëve.
Bashkë për Sigurinë Ushqimore!