Lidhur me publikimin në media, mbi pretendimet dhe opinionet lidhur me njoftimet e RASSF dhe përdorimin e “pesticideve të ndaluara”, sqarojmë dhe informojmë konsumatorin shqiptar, referuar të gjithë aktivitetit që kryen Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si institucioni përgjegjës për garantimin e shëndetit të konsumatorëve në vend, si më poshtë vijon.
AKU kryen veprimtari inspektuese dhe marrje mostre bazuar në planin vjetor me bazë risku, si dhe planin e monitorimit të mbetjeve të pesticideve në bimë dhe produkte bimore, në të gjithë operatorët e biznesit ushqimor që ushtrojnë aktivitet në fushën e ushqimit (shitje me shumice, ruajtje, shpërndarje fruta dhe perime/ pikat e grumbullimit), si dhe në subjekte që ushtrojnë aktivitetin në fushën e importit dhe tregtimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve e gjithashtu kryen kontrolle zyrtare të programuara në plan dhe kontrolle të paprogramuara referuar kërkesave të operatorëve të biznesit për licencim, njoftime nga RASFF, ankesave nga qytetarët, mediat etj..
Sa i përket njoftimeve të ardhura nga Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF) i Komisionit Evropian, për vitet 2022 – 2023, në të gjitha rastet Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka qenë transparent dhe i detajuar për të gjitha masat e menjëhershme që ka marrë, në të gjitha proceduarat konform ligjit, duke marrë masat e menjëhershme nëpërmjet kryerjes se kontrollit në subjektet eksportuese, me qëllim njoftimin e menjëhershëm të operatorëve të biznesit ushqimor, verifikimit në vend të gjithë sasisë për lotin në fjalë, kontrollin e dokumentacionit që ka shoqëruar ngarkesën për eksport (certifikatë fitosanitare, raport analiza etj.), si dhe dokumentacionin mbi gjurmueshmërinë e produktit (hyrje – shpërndarje) që ka rezultuar mbi normë, për të evidentuar fermerët nga i cili origjinojnë produktet, bllokimi i te gjithë sasisë së këtij produkti /asgjësimin e tij. Gjatë kontrollit të gjurmueshmerisë kontrollohet edhe nëse produkti ka patur destinacion tregun e jashtëm apo edhe atë vendas.
Nëse produkti ka patur destinacion tregun vendas, operatori i biznesit ushqimor njofton të gjitha pikat ku është shpërndarë produkti për kthim mbrapsht të produktit apo bllokimin e tij në ambiente të veçanta me qëllim asgjësimin e tij. Në kësi rastesh, AKU vijon procesin e kontrollit edhe në OBU e tjera ku është shpërndarë produkti bimor. Për më tepër nga AKU i dërgohet i gjithë informacioni i nevojshëm Drejtorisë së Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtje së Bimëve për të gjurmuar përdorimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve tek fermeri, që nga kultivimi e deri në vjelje të produktit sipas “regjistrit të përdorimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve (PMB) në fermë”. Plotësimi i regjistrit të përdorimit të PMB-ve në fermë kryhet nga vetë prodhuesi (fermeri), i cili këshillohet nga specialistët e Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësore.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ndjek çdo hallkë të sistemit të gjurmueshmërisë për rastet e kthimeve në origjinë, por për rastet e cituara nga media, asgjësimet janë kryer në shtetin ku është konstatuar problematika dhe nuk ka patur kthime të ngarkesave në territorin e Shqipërisë.
Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera nga AKU për vitin 2023, në operatorët e biznesit që operojnë në fushën e importit dhe tregtimit me shumicë dhe/ose pakicë të PMB në asnjë rast nuk ka rezultuar gjetje të tregtimit të PMB-ve me lëndën aktive “chlorpyriphos”.
Për vetë specifikën e bujqësisë sonë që dominohet nga ferma të vogla, ngarkesat për eksport apo tregun e brendshëm përbëhen nga produkte bujqësore që vijnë nga disa fermerë. Mbetjet e pesticideve në bimë dhe produkte bimore janë sfidë botërore jo vetëm për sistemin e bujqësisë shqiptare, e cila dominon në ferma të vogla, por edhe për vendet e BE apo vende me te zhvilluara me qëllim mbrojtjen e shëndetit të njeriut, bimëve dhe mjedisit të tyre të përbashkët.
Të gjitha produktet e mbrojtjes së bimëve që tregtohen ose përdoren në territorin e Republikës së Shqipërisë i nënshtrohen procedurës së regjistrimit nga Komisioni i Regjistrimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Në Republikën e Shqipërisë regjistrohen vetëm produkte të mbrojtjes së bimëve, të cilat janë të regjistruara në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Duke falënderuar median për ngritjen e shqetësimeve dhe orientimin e diskursit publik tek siguria ushqimore, ftojmë median dhe konsumatorët të ndjekë informacionin zyrtar të publikuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.