Pyetje të Shpeshta – Influenca Aviare (Gripi i Shpendëve)

P1: Çfarë është Influenca Aviare?

P: Influenca Aviare (IA) është një sëmundje virale me ngjitshmëri të lartë, që prek një sërë speciesh të shpendëve shtëpiake, si dhe zogjve që mbahen si kafshë shtëpiake dhe atyre të egër në sistemin e frymëmarrjes, tretës dhe/ose atë nervor. Ajo shkaktohet nga Virusi i Influencës i Tipit A. Influenca Aviare njihet ndryshe dhe si “Gripi i Shpendëve”.

 

P2: Çfarë nënkuptohet me influencë aviare me patogjenicitet të ulët dhe të lartë?

P: Ekzistojnë një sërë shtamesh të viruseve të IA-së që mund të klasifikohen në dy kategori sipas shkallës së sëmundjes që shkaktojnë te shpendët: me patogjenicitet të ulët (LPAI), që zakonisht shkaktojnë pak ose aspak shenja klinike te zogjtë, dhe me patogjenicitet të lartë (HPAI), që mund të shkaktojnë shenja të rënda klinike dhe përqindje të lartë vdekshmërie te zogjtë.

 

P3: Cilat janë shenjat e infektimit me influencë aviare te zogjtë?

P: Shenjat kryesore klinike të HPAI-së te zogjtë përfshijnë:

  • Depresion/letargji
  • humbje të oreksit dhe etje të shtuar
  • ënjtje të kokës
  • çngjyrosje në ngjyrë blu të xhufkës së kokës, lafshës, qafës dhe grykës
  • vështirësi në frymëmarrje, si mbajtja hapur e sqepit, kollitja, teshtima, gurgullima, rale
  • diarre
  • reduktim/pamundësi e prodhimit të vezëve
  • Vdekje e papritur.

Zakonisht, influenca aviare me patogjenicitet të ulët (LPAI) është më pak serioze. Ajo mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen, depresion dhe reduktim të prodhimtarisë. Megjithatë, zogjtë e prekur nuk shfaqin gjithmonë shenja të qarta infeksioni.

 

P4: Si përhapet influenca aviare?

P: Të gjitha viruset e influencës aviare mund të transmetohen ndërmjet zogjve nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore nga zogjtë e infektuar, si glasat, ose nëpërmjet ushqimit, ujit, pajisjeve dhe veshjeve të kontaminuara të njerëzve. Viruset mund të transmetohen edhe ndërmjet vendeve të ndryshme si pasojë e lëvizjes së zogjve të gjallë, njerëzve (mjetet dhe veshjet  e punes) dhe nga pajisjet, ushqimet dhe kafazet e kontaminuara.

 

P5: A mund të përhapet influenca aviare nëpërmjet ajrit?

P: Jo, IA-ja nuk është një sëmundje që përhapet nëpërmjet ajrit. Sikurse u theksua më lart, duhet të ndodhë kontakt i drejtpërdrejtë me zogjtë e prekur ose materialet e kontaminuara në mënyrë që sëmundja të përhapet te zogjtë.

 

P6: A mund të transmetohet influenca aviare nga zogjtë e prekur te njeriu?

P: Mundësia e transmetimit të Influencës aviare në njerëz është e rrallë. Zakonisht, nevojitet kontakt shumë i ngushtë ndërmjet personit dhe zogjve të infektuar.

 

P7: A mund të transmetohet influenca aviare te njeriu nëpërmjet ushqimit?

P: Nuk ka asnjë dëshmi që influenca aviare mund të transmetohet te njeriu nëpërmjet konsumit të ushqimeve të gatuara në mënyrën e duhur.

 

 

P8: A është i sigurt konsumimi i mishit të shpendëve?

 

Po. Deri më sot, nuk ka të dhëna epidemiologjike që sugjerojnë se sëmundja mund të transmetohet te njerëzit nëpërmjet ushqimit të gatuar në mënyrën e duhur (edhe nëse ka ndodhur kontaminim nga virusi përpara gatimit).

Shpendët dhe produktet e shpendëve mund të përgatiten dhe konsumohen si zakonisht, për sa kohë që trajtohen në mënyrë higjienike kur janë të gjalla, dhe gatuhen plotësisht përpara konsumit.

 

Temperaturat normale të gatimit prej 70°C e lart e çaktivizojnë virusin, ndaj, konsumi i mishit të shpendëve i gatuar siç duhet nuk përbën risk për infektim. Mishi i shpendëve duhet të gatuhet plotësisht, në mënyrë që të arrijë një temperaturë prej të paktën 70°C në të gjitha pjesët, duke siguruar që të jetë plotësisht i nxehtë deri në brendësi, të mos ketë pjesë të gjalla në ngjyrë rozë dhe deri sa lëngjet të bëhen të tejdukshme.

 

Duhet të respektohen praktikat normale të higjienës lidhur me trajtimin e mishit të gjallë të shpendëve. Duart, enët dhe sipërfaqet duhet të pastrohen plotësisht pas kontaktit me produktet e gjalla të shpendëve; si dhe duhet që ushqimi i gjallë të jetë i veçuar në mënyrë të përshtatshme nga ushqimet e gatuara ose gati për t’u ngrënë.

 

Ka pasur raportime të disa rasteve te njeriu, që me gjasë lidhen me konsumin e përbërësve të gjallë të shpendëve (p.sh. gatimet e gjalla me bazë gjaku). Prandaj, duhet të theksohet se konsumi i çfarëdo përbërësi të gjallë të shpendëve duhet të konsiderohet si praktikë me risk të lartë dhe të mos inkurajohet. Ky është një mesazh me rëndësi jo vetëm për influencën aviare, por gjithashtu për të parandaluar një sërë sëmundjesh të tjera që transmetohen nëpërmjet produkteve të gjalla ose të pagatuara plotësisht të shpendëve.

 

 

P9: A janë vezët të sigurta për t’u konsumuar?

 

Konsumatorët, furnizuesit dhe prodhuesit e ushqimeve duhet t’i përdorin dhe konsumojnë vezët si normalisht, duke ndjekur praktikat e mira të higjienës. Duhet të përdorni sapun dhe ujë të ngrohtë për të larë duart pasi keni prekur vezë të gjalla, si dhe për të pastruar sipërfaqet dhe enët që kanë pasur kontakt me vezët e gjalla. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këshillon që, vezët të gatuhen deri sa e verdha dhe e bardha të jenë plotësisht të ngurta.

Sikurse për mishin e shpendëve, nuk ka asnjë dëshmi që virusi i influencës aviare transmetohet te njeriu nëpërmjet konsumit të mishit të shpendëve apo vezëve të gatuara siç duhet. Për sa u përket njerëzve, risku vjen si pasojë e kontaktit të ngushtë me zogjtë që janë të sëmurë, jo nga konsumi i mishit të shpendëve apo i vezëve.

 

 

 

P10: Cilat janë praktikat e mira të rekomanduara të higjienës që duhet të ndjek gjatë trajtimit/përgatitjes së mishit të shpendëve ose vezëve?

 

Praktikat e mira normale të higjienës rekomandohen për të reduktuar ekspozimin ndaj virusit dhe për të reduktuar përhapjen nëpërmjet ushqimit:

  • Lani duart me ujë të ngrohtë dhe sapun pasi të keni prekur vezë ose mish të gjallë shpendësh
  • Pastroni enët dhe sipërfaqet që kanë pasur kontakt me vezët ose me mishin e gjallë të shpendëve duke përdorur sapun dhe ujë të ngrohtë

 

Veçoni vezët ose mishin e gjallë të shpendëve nga ushqimet që nuk do të gatuhen plotësisht përpara konsumit, në mënyrë që të shmangni përhapjen e kontaminimit:

  • Përdorni sipërfaqe prerjeje, thika dhe enë të veçanta për ushqimet gati për t’u ngrënë dhe vezët e mishin e gjallë të shpendëve (përveçse kur pastrohen siç duhet ndërmjet përdorimeve, me sapun dhe ujë të ngrohtë)
  • Ruajeni mishin e gjallë të shpendëve në enë të mbyllura, në raftin e fundit të frigoriferit, në mënyrë që lëngjet të mos pikojnë mbi ushqimin gati për t’u ngrënë

 

P11: A janë zogjtë e egër të rrezikuar?

P: Shpendët shtegtarë të ujit, veçanërisht rosat e egra, janë një rezervuar natyror i virusit të influencës aviare. Zogjtë e egër mund ta mbartin virusin e IA-së nga njëra zonë në tjetrën nëpërmjet procesit të shtegtimit, ndaj përbëjnë një faktor risku me rëndësi, që duhet të merret në konsideratë në përhapjen e influencës aviare.

P12: Kujt i takon përgjegjësia për të kontrolluar influencën aviare në Shqipëri?

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është përgjegjëse për hartimin e politikave dhe AKVMB-ja është përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe kontrollin e influencës aviare te zogjtë dhe gjitarët e tjerë jonjerëzore.

P13: Si duhet të veproj nëse shoh kafshë/shpend të ngordhur?

Kontaktoni Veterinerin e Shërbimit Veterinar (AKVMB) për ta njoftuar për çdo rast që shihni Kafshë/shpendë të sëmurë/oborresh, zbukurimi e të egra.

P14. A më mbron vaksina e gripit të njeriut nga influenca aviare?
P: Jo, vaksina e gripit ju mbron vetëm nga infektimi me shtame të virusit të gripit të njeriut, që përfshihen në vaksinën e gripit të njeriut.



Referenca
Departamenti i Bujqësisë, Ushqimit dhe Detit (2016).Influenca Aviare – Pyetje të shpeshta. https: //www.gov.ie/en/publication/50ce4-avian-influenza-bird-flu/#avian-influenza-frequently-asked-questions [aksesuar më 08.06.2021]

Departamenti i Bujqësisë, Ushqimit dhe Detit (2020).Influenca Aviare H5N8 me Patogjenicitet të Lartë në Irlandë – Pyetje të shpeshta. https: //www.gov.ie/en/publication/50ce4-avian-influenza-bird-flu/#avian-influenza-frequently-asked-questions [aksesuar më 08.06.2021]

Autoriteti i Sigurisë Ushqimore i Irlandës (2018).Influenca Aviare – Pyetje të shpeshta. https: //www.fsai.ie/faq/avian_influenza.html [aksesuar më 08.06.2021]

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme

Informacion për Publikun

Autoriteti Kombetar i Ushqimit bën me dije qytetarëve që është në gadishmëri dhe veprim të menjëhershëm, me efektivitet të plotë për cdo rast të cënimit të Sigurisë Ushqimore me qëllim garantimin e konsumatorit vendas. Garantimi i sigurisë ushqimore është një proces dinamik, për të cilin stuktura qëndrore dhe ato ligj zbatuese përgjigjien rast pas rasti, pavarësisht ngjyrimeve politike dhe daljeve mediatike për tëtërhequr vëmendje.  Transparenca e komunikimit të riskut me publikun është gjithashtu një proces thelbësor në informacionin korrekt përkonsumatorin,