Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore, ka vlerësuar maksimalisht lajmet e mediave ndërkombëtare e më pas edhe atyre shqiptare, duke marrë masa të menjëhershme në lidhje me tri markat e çokollatave, Snickers, Mars, Milky Way, të prodhuara në Holandë. Megjithëse u nxorr një urdhër për bllokimin e të gjitha çokollatave të këtyre markave që kishin datën e skandencës 19.06.2016, deri më 08.01.2017, situata ndryshoi pas verifikimeve konkrete në terren dhe pranë kompanisë, distributor zyrtar i këtyre produkteve, duke bërë që të dalë një urdhër tjetër pune, i cili rrëzonte të parin. Dhe, brenda 4 orëve, nga ora 08.00 deri në orën 12.00, u bë verifikimi në terren, nga të gjitha Drejtoritë Rajonale të AKU në qarqe, si dhe pranë kompanië importuese të këtyre produkteve në Shqipëri.
Nga verifikimet e bëra prej Inspektorëve të Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Tiranë, pranë kompanisë distributore “Interbrands”, rezultoi se, të tri produktet në fjalë, nuk kanë lidhje me çokollatat e rezultuara me probleme në Holandë, pasi Snickers, Mars, Milky Way që importohen në Shqipëri nga kjo kompani, prodhohen në Poloni, si dhe u verifikuan lotet si dhe elementët tjerë. Kjo është vërtetuar nga një shkresë zyrtare ardhur kompanisë shqiptare prej prodhuesit amë të këtyre produkteve, ku thuhet se Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia nuk janë të rrezikuara nga këto produkte, pasi sasitë që tregtohen në këto vende, janë të prodhuara në Poloni dhe jo Holandë.
Në një dalje për mediat, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Z.Isuf Shehu, deklaroi se, “në momentin që ne po bëjmë këtë deklaratë për shtyp, ne kryem verifikimet e duhura, pranë distributorit kryesor dhe AKU e Tiranë bëri verifikimet, bëri kontrollet pranë magazinave të distributorit dhe rezultoi, që nuk kishte asnjë lloj sasie, të asaj që mediat ndërkombëtare kanë diskutuar apo kanë përhapur si lajm”.
Pas verifikimit të situatës, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU, Z.Shehu, nisi verifikimi i situatës në terren, në të gjithë vedin, pasi produkte të tilla, të prodhuara në Holandë dhe të importuara nga kompani të ndryshme në Shqipëri, nëpërmjet rrjetit të tyre, mund të ketë. Dhe rezultati i parë ishte në Tiranë, ku në një treg u gjet një sasi e vogël çokollatash të markave të larpërmendura, të prodhuara në Holandë. Menjëherë u bë bllokimi i tyre dhe AKU po ndjek sistemin e gjurmueshmërisë për të gjetur importuesin.
Ndërkaq, kompania që ka në pronësi rrjetin e marketeve “Conad” në Shqipëri, ditën e mërkurë ka bërë në mënyrë vullnetare tërheqjen e këtyre produkteve nga tregu, pasi ishin prodhuar në Holandë dhe tregtuesi shqiptar është njoftuar nga kompania amë.
Sistemi RASFF (Rapit Alert System Food and Feet) është një system informimi i krijuar nga vëndet anëtare të BE për shkëmbimin e informacionit në lidhje me produktet ushqimore që paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve gjatë tregtimit të produkteve në këto vende. Me krijimin e Autoritetit Kombetar të Ushqimit në vitin 2010, u vendos dhe pika e kontaktit për Shqipërinë në këtë sistem. Ky sistem na njofton me rastet kur në Shqipëri janë importuar produkte ushqimore me rezik për konsumatorin. RASFF na njofton dhe me rastet kur Shqipëria eksporton produkte ushqimore që paraqesin rrezik për konsumatorin. Në lidhje me rastin: Përmbajtje plastike në produktin çokollate (Snickers, Mars, Milky Way), të infomuar nga media ndërkombëtare dhe kombëtare Ju informojmë se: Nuk kemi njoftim zyrtar nga sistemi RASFF për rastin në fjalë.
Megjithatë, duke garantuar sigurinë e konsumatorit, pas verifikimeve e masa të para, puna e AKU do të vazhdojë në terren, duke mos lejuar asnjë rast abuzimi.
26/02/2016