Garantimi i sigurise ushqimore, AKU vijon kontrolle rigoroze ne te gjithe vendin

Garantimi i sigurisë ushqimore dhe hedhja në treg e produkteve të sigurta për konsum human është fokusi i veprimtarisë së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i cili vazhdon kontrollet dhe monitorimet rigoroze të produkteve ushqimore.

Referuar Planit të monitorimit të mbetjeve pesticide në fruta-perime, AKU ka marrë 289 mostra produkte serash (spec, domate, kastravec, sallatë jeshile, spinaq etj), për kryerjen e analizave laboratorike në ISUV. Mostra të cilat janë marrë në dalje të fermës, në pika grumbullimi fruta-perime dhe në tregjet e shumicës. Bazuar në përgjigjet e analizave të kryera, vetëm 1 mostër spec i kuq ka rezultuar jokonform, me ngarkesë pesticidi.

Për rastin në fjalë, Drejtoria Rajonale e AKU Berat ka marrë masën administrative gjobë me vlerë 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve të pasigurta për konsum ndaj subjektit me iniciale B. B./ I01214002K si dhe do të vijojë mbajtja nën mbikqyrje e këtij subjekti në vazhdim.

Përgjigjet e analizave të kryera në laboratorë të akredituar, tregojnë edhe njëherë sigurinë dhe cilësinë e produkteve të cilat ne konsumojme, duke na bërë besimplotë që rruga e nisur, kontrollet dhe bashkëpunimi do të na çojë drejt përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë dhe përafrimit me standardet më të mira europiane.

AKU do të vijojë monitorimet, por edhe këshilimin e subjekteve për ndjekjen e praktikave më të mira të prodhimit duke rritur kështu cilësinë e produkteve ashtu si edhe promovimin e mëtejshëm të tyre.

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme