Gatimi i ushqimit tuaj në shtëpi

Si të gatuani ushqimin tuaj, me qëllim parandalimin e helmimit ushqimor?

Gatimi i ushqimit në temperaturën dhe kohëzgjatjen e duhur, do të sigurojë eleminimin e baktereve patogjene. Kontrolloni gjithmonë këshillat e shënuara në paketimin e ushqimit dhe ndiqni udhëzimet e përdorimit.

Mish

Përpara se të shërbeni mishin e derrit, shpendëve dhe mishin e grirë, zijeni paraprakisht dhe sigurohuni që të gatuhet plotësisht. Kur prisni pjesët e mishit, kontrolloni që ai të mos jetë rozë dhe me gjak.  

Ndiqni këtë këshillë kur gatuani:

  • Rosë
  • Pulë
  • Gjeldeti
  • Produktet e mishit të grirë si qebapët, salsiçet dhe hamburgerët

Kur piqni një shpend të plotë, si p.sh. pulë ose gjeldeti, mbushjen duhet ta gatuani veçmas, jo bashkë me mishin. Kjo, për shkak se shpendet e mbushur do të marrin më shumë kohë për t’u gatuar dhe mund të mos gatuhen plotësisht.

Perime të ngrira

Pjesa më e madhe e perimeve të ngrira, duhet të gatuhen përpara konsumit.

Nëse keni ndërmend të përdorni misër të ngrirë ose perime të tjera si pjesë e një sallate të ftohtë, kontrolloni fillimisht udhëzimet në paketim. Nëse këshilla është që misri i ëmbël ose perimet e tjera të ngrira duhen gatuar, sigurohuni që kjo të bëhet përpara se t’i shërbeni ato të ftohta.

Pas gatimit, ushqimi duhet të:

  • ftohet sa më shpejt që të jetë e mundur (idealisht brenda dy orësh)
  • ruhet në frigorifer dhe konsumohet brenda dy ditësh

Metodat e gatimit

Kur ushqimi gatuhet në furrë, procesi kalon përmes një kombinimi të tre metodave të ndryshme të transferimit të   nxehtësisë.

  1. Nxehtësia rrezatuese ose e drejtpërdrejtë

Këtu ushqimi gatuhet nëpërmjet flakëve në pjesën e pasme të një furre me gaz ose një furrë elektrike.

     2. Konduksioni

Këtu nxehtësia kalon nëpër muret e furrës, me pas tek enët qe përmbajnë ushqimin (tepsi,tave) qe do gatuhet dhe më pas tek ushqimi.

     3. Konveksioni

 Këtu ajri brenda furrës nxehet dhe qarkullon përmes ushqimit. Luan rol të rëndësishëm në një furrë me ventilator dhe është arsyeja që ushqimi gatuhet më shpejt. Kjo metodë mund të  mos funksionojë nëse gatuhet shpend i mbushur.

Këshillojmë që shpendet të gatuhen të pa mbushur dhe mbushja të pergatitet në një enë të veçantë. Mos lejoni që ushqimi i nxehtë të qëndrojë në temperaturë ambienti për periudha të gjata. Ftoheni dhe mbetjet vendosini në frigorifer ose ngrirje brenda 1-2 orësh.

Pse nuk duhet t’i shërbeni hamburgerët të papjekur

Pjesët e mishit, të tilla si biftekët, kanë baktere vetëm në sipërfaqen e jashtme të tyre.

Kur mishi grihet për të bërë një burger, çdo bakter patogjen nga sipërfaqja e mishit, mund të përhapet në të gjithë   burgerin. Si rezultat, burgerët e papjekur, mund të kenë baktere të dëmshme në brendësi dhe mund të shkaktojnë helmim ushqimor nëse nuk gatuhen plotësisht.

SHPJEGIM:

Si ndikojnë koha dhe temperatura në eleminimin e baktereve

Gjatë gatimit, nxehtësia transferohet dhe shpërbën proteinat në ushqim. Mishi ndryshon  ngjyrë, nga rozë – në kafe, ose në të bardhë, njëkohësisht ndryshon edhe tekstura e tij. Trajtimi termik bën që proteinat në baktere të denatyrohen, si rrjedhojë ato nuk funksionojnë më dhe bakteret vdesin. Kjo është arsyeja pse gatimi largon rrezikun nga bakteret patogjene që gjenden në disa ushqime.

Bakteret zakonisht zhvillohen në “Zonën e rrezikut” midis 8°C dhe 60°C. Nën 8°C, rritja ndalet ose ngadalësohet ndjeshëm. Mbi 60°C bakteret fillojnë të vdesin. Koha dhe temperatura janë të dyja të rëndësishme, sepse proteinat duhet të nxehen për një kohë mjaftueshëm të gjatë, që të shpërbëhen plotësisht.

Këshilla standarde është të gatuani ushqimin derisa të arrijë te pakten 70°C dhe lëreni të qëndrojë në atë temperaturë për 2 minuta.

 

Kombinime të tjera Kohë – Temperaturë janë:

  • 60°C për 45 minuta
  • 65°C për 10 minuta
  • 70°C për 2 minuta
  • 75°C për 30 sekonda
  • 80°C për 6 sekonda