Informacione të përgjithshme për gjininë Listeria

Listeriet janë mikroorganizma me përmasa mesatare, në formë shkopi, Gram pozitive dhe josporogjene. Taksonomia e gjinisë Listeria ka pësuar ndryshime të konsiderueshme në vitet e fundit. Kjo gjini është e përbërë nga gjashtë specie, tre prej të cilave njihen si patogjene. Duke u nisur nga karakteristikat e genomit të tyre, janë përcaktuar tre grupe të dallueshme, brenda gjinisë Listeria.

Grupi i parë përfshin speciet e mëposhtme:

  • Listeria murrayi dhe Listeria grayi, të cilët janë izoluar rrallë dhe nuk njihen si patogjene. Vendbanimi i tyre natyral është toka dhe bimësia.


Grupi i dytë përfaqësohet nga specie të tjera me interes:

  • Listeria monocytogenes, që përfaqëson patogjenin kryesor të gjinisë, si për kafshët ashtu dhe për njeriun.
  • Listeria ivanovii, e cila është specie e vetme, përveçse monocytogenes që është natyralisht patogjene për kafshët, përfshirë këtu edhe njeriun. Megjithatë, pak njihet rreth përhapjes së infeksionit nga kjo specie. Shkaktari është veçuar edhe në organizma të shëndoshë.
  • Listeria inocua, për të cilën studimet e fundit kanë treguar që ajo mund të izolohet nga toka, bimët, feçet e njerëzve dhe të kafshëve.
  • Listeria welshimeri, e cila është izoluar nga toka dhe bimët në kalbëzim.
  • Listeria seeligeri, është izoluar nga toka, bimët dhe feçet e kafshëve.

Epidemiologjia

Studiuesit kanë gjetur Listerian në të paktën 37 specie gjitarësh, të butë dhe të egër, si dhe në të paktën 17 specie zogjsh dhe ndoshta në disa lloje peshqish dhe butakësh. Laboratorët mund të izolojnë Listeria monocytogenes nga toka, silazhi dhe burime të tjera mjedisore. Listeria është mjaft e qëndrueshme dhe i reziston ngrirjes, tharjes dhe nxehtësisë jashtëzakonisht mirë për një bakter që nuk formon spore. Një bakter i tillë mund të mbijetojë dhe të shumohet në temperaturë të ulët deri në 0°C, por mund të shkatërrohet lehtësisht në temperaturën normale të gatimit.

Rrugët e infeksionit

Listeria gjendet në ushqime të tilla si qumështi i papërpunuar, djathërat (veçanërisht varietetet e djathërave të butë), akullore, perime të papërpunuara, mish të papërpunuar (të të gjitha llojeve) dhe peshk të papërpunuar dhe të tymosur. Shumica e shtameve tw bakterit mund të mbijetojnë afër temperaturave të ngrirjes, por nuk mund të thithin lëndë ushqyese, të rriten ose të replikohen, megjithatë Listeria ka aftësinë të rritet në temperatura të ulëta deri në 0°C që lejon shumëzimin eksponencial në ushqimet në frigorifer. Në temperaturën e ftohjes (4°C), sasia e hekurit mund të ndikojë në rritjen Listerias.

Shenjat klinike

Infeksioni invaziv nga Listeria shkakton sëmundjen e listeriozës. Shenjat dhe simptomat e infeksionit me Listeria ndryshojnë në varësi të personit të infektuar dhe pjesës së trupit të prekur. Individët që janë më të predispozuar për tu prekur nga Listeria janë gratë shtatzënë dhe të porsalindurit e tyre, të rriturit e moshës 65 vjeç e lart dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.

Kur infeksioni është invaziv (bakteri përhapet përtej zorrëve duke prekur dhe organe të tjera), simptomat zakonisht fillojnë brenda 2 javësh pas ngrënies së ushqimit të kontaminuar me Listeria.

Personat që janë shtatzënë zakonisht kanë këto simptoma:

  • Ethe;
  • Simptoma të ngjashme me gripin, të tilla si dhimbje muskulore dhe lodhje.

Personat që nuk janë shtatzënë, kanë këto simptoma:

  • Ethe;
  • Simptoma të ngjashme me gripin, të tilla si dhimbje muskulore dhe lodhje;
  • Dhimbje koke;
  • Qafë e ngrirë;
  • Konfuzion;
  • Humbje e ekuilibrit;
  •  

Ashpërsia e sëmundjes invazive

Simptomat në gratë shtatzëna janë zakonisht të lehta. Disa gra shtatzëna në disa raste nuk shfaqin simptoma. Megjithatë, infeksioni në raste tw tjera gjatë shtatzënisë mund të sjell dhe abort, lindje të vdekur, lindje të parakohshme ose infeksion kërcënues për jetën e të porsalindurit. Te personat që nuk janë shtatzënë, simptomat mund të jenë të rënda. Pothuajse 1 në 20 persona jo shtatzënë me listeriozë invazive vdesin.

Listeria gjithashtu mund të shkaktojë sëmundje të zorrëve. Kjo lloj sëmundje diagnostikohet rrallë sepse laboratorët nuk testojnë rregullisht mostrat e jashtëqitjes së pacientit për Listeria. Simptomat e sëmundjes së zorrëve zakonisht fillojnë brenda 24 orëve pas ngrënies së ushqimit të kontaminuar me Listeria dhe zakonisht zgjasin 1-3 ditë.

Kur infeksioni nuk është invaziv, çdo sëmundje si pasojë e infeksionit quhet gastroenterit febrile. Manifestimet e listeriozës përfshijnë:

  • Septisemi;
  • Meningit (ose meningoencefalit);
  • Encefalit;
  • Ulçerë korneale;
  • Pneumoni;
  • Infeksione intrauterine ose cervikale te gratë shtatzëna, të cilat mund të rezultojnë në lindje para kohe, aborte dhe madje vdekje.

Simptomat e ngjashme me gripin, përfshirë ethet e vazhdueshme, dhembje muskujsh, dhembje koke, zakonisht i paraprijnë shfaqjes së çrregullimeve të lartpërmendura. Simptomat gastrointestinale, të tilla si të përziera, të vjella dhe diarre, mund të paraprijnë forma më serioze të listeriozës ose mund të jenë simptomat e vetme të shprehura. Koha e fillimit të shenjave klinike tipike të listeriozës është e panjohur, por mund të shkojë nga disa ditë në 3 javë. Koha e fillimit të simptomave gastrointestinale është e panjohur, por dyshohet se 12 orë pas infektimit.

Trajtimi

Kur ndodh meningiti listerik, vdekshmëria e përgjithshme mund të arrijë 70%, nga septisemia 50% dhe nga infeksionet perinatale / neonatale më të mëdha se 80%. Në infeksionet gjatë shtatzënisë, nëna zakonisht mbijeton. Në rastin kur sëmundja merr një rrjedhë invazive, trajtimi me penicilinë ose ampicilinë parenterale ka dhënë sukses. Trimetoprim-sulfametoksazoli është treguar efektiv në pacientët alergjikë ndaj penicilinës Trajtimet me bakteriofag janë zhvilluar nga disa kompani. Një bakterofag, Listeria phage P100, është propozuar si shtesë ushqimore për të kontrolluar L. monocytogenes.

Parandalimi

Listeria është një mikroorganizëm që mund të “fshihet” në shumë ushqime. Listeria përgjithësisht është identifikuar dhe gjendur në qumësht dhe produktet e tij. Por, kohët e fundit ky bakter është gjurmuar dhe në produkte si: djathëra të butë, mishi i hot-dogut, lakër, pjepër dhe akullore.

Djathërat e butë

Djathërat nga qumështi i papasterizuar mund të përmbajnë Listeria. Djathërat e butë të prodhuar me qumësht të papasterizuar vlerësohet se kanë 50 deri në 160 herë më shumë gjasa të shkaktojnë sëmundjen e listeriozës sesa kur bëhen me qumësht të pasterizuar. Edhe pse pasterizimi i qumështit vret Listerian, produktet e prodhuara nga qumështi i pasterizuar mund të kontaminohen sërish nëse prodhohen në ambiente me kushte higjenike jo të duhura.

Rekomandime:

  • Sigurohuni që etiketa shkruan: “Prodhuar me qumësht të pasterizuar”.
  • Kini parasysh se djathrat e stilit hispanik të prodhuar nga qumështi i pasterizuar, si për shembull djathi i freskët, kanë shkaktuar infeksione të listeriozës sepse janë kontaminuar gjatë prodhimit të djathit.
  • Duhet pasur kujdes për njerëzit që janë më të predispozuar për tu prekur nga listerioza, duke përfshirë gratë shtatzëna, të moshuarit dhe njerëzit me imunitet të dobësuar.

Lakër të papërpunuar

Lakra ka nevojë për kushte të ngrohta dhe lagështirë për të mbirë dhe rritur. Këto kushte janë gjithashtu ideale për rritjen e baktereve, duke përfshirë Listeria, Salmonella dhe E. coli.

Rekomandime:

  • Mos hani lakër të papërpunuar të asnjë lloji (përfshirë tërfilin, rrepkën, lakra e kuqe, etj).
  • Gatuani lakrën në mënyrën e duhur për të zvogëluar rrezikun për t’u prekur nga Listeria. Gatimi i plotë dhe i duhur vret bakteret e dëmshme.
  • Kur jeni duke ngrënë jashtë, kërkoni që të mos shtohen në ushqimin tuaj lakër të papërpunuar. Nëse blini një sanduiç, sallatë ose ushqim aziatik të gatshëm, kontrolloni që të mos përmbajë lakër të papërpunuar.

Pjepri

Rekomandime:

  • Hani menjëherë pjeprin e prerë ose vendoseni në frigorifer.
  • Mbajeni pjeprin e prerë në frigorifer në 5°C ose më të ftohtë dhe jo më shumë se 7 ditë.
  • Hidhni pjeprin e prerë të lënë në temperaturën e dhomës për më shumë se 4 orë.

Mishi i hot-dog dhe vakteve ushqimore tw gatshme

  • Mos lejoni që lëngu nga paketimet e mishit të hot-dogut dhe vakteve ushqimore me mish të gatshëm të futet në ushqime, vegla dhe sipërfaqe të tjera të përgatitjes së ushqimit. Lani duart pas trajtimit të hot-dogut.
  • Ruani produktet në mënyrë të sigurtë në frigorifer.
  • Hot dogët: Ruani paketimet e hapura jo më shumë se një javë në frigorifer dhe paketimet e pahapura jo më shumë se 2 javë në frigorifer.
  • Mishi i gatshëm: Ruani paketimet e mbyllura në fabrikë, të pahapura jo më shumë se 2 javë në frigorifer. Ruani paketimet e hapura dhe mishin e prerë në një ushqim jo më shumë se 3 deri në 5 ditë në frigorifer.
  • Rekomandime për njerëzit në rrezik më të lartë, duke përfshirë gratë shtatzëna, të moshuarit dhe njerëzit me imunitet të dobësuar:
  • Shmangni ngrënien e hot-dogut, mishrave që përdoren në vakte të gatshme ushqimore ose salçiçe të fermentuara ose të thata, përveç rasteve kur ato gatuhen në një temperaturë prej 75°C.

Peshku

Rastet e shpërthimeve të listeriozës nga konsumi i peshkut të papërpunuar, por të sëmurë nga listerioza janë deklaruar shumë kohë më përpara. Mundësia për të shkaktuar një sëmundje tek njeriu është e lidhur padyshim me patogjenitetin e shtamit të këtij bakteri dhe kjo mundësi është e lidhur me një raport të caktuar dozë/efekt. Infeksioni shpërthen kur në peshk ka 100-1000 listeria për gram.

Listeria përghjithësisht është i pranishëm në produktet e peshkimit në gjendje të freskët, si dhe në ato të ngrira. Gjatë kontrollit veterinar për këtë sëmundje nuk janë gjendur raste të pranisë së shkaktarit në peshkun e kripur dhe atë të thatë.

Sipas studimeve që janë bërë në ujin e ëmbël dhe të kripur ka rezultuar që Listeria përbën një nga kontaminantët e mjedisit. Listeria është e aftë të mbijetojë jashtë organizmit të gjallë dhe konkretisht në sipërfaqet e enëve, mjeteve të tjera të punës, prandaj del e nevojshme që këto të fundit t’i nënshtrohen pastrimit dhe dezifenktimit.

Peshqit e tymosur më të ekspozuar dhe të rrezikuar për tu prekur nga Listeria janë: salmoni, trofta, peshku i bardhë, merluci dhe toni.

Qumësht i papërpunuar (i papasterizuar)

Qumështi i papërpunuar (i quajtur edhe qumësht i papasterizuar) mund të përmbajë baktere të dëmshme, duke përfshirë Listerian, dhe mikroorganizma të tjerë të rrezikshëm. Qumështi i papërpunuar që përdoret për produkte të tjera si djathi i butë, akullorja dhe kosi, mund të shkaktojnë gjithashtu infeksione të rrezikshme.

  • Kur i konsumoni këto produkte, sigurohuni që të jenë prodhuar më qumësht të pasterizuar.
  • Konsumoni vetëm qumësht dhe produkte qumështi të pasterizuar, duke përfshirë djathin e butë, akulloren dhe kosin. Kërkoni fjalën “i pasterizuar” në etiketë. Nëse keni dyshime, mos e blini!
  • Mbani qumështin dhe produktet e qumështit në frigorifer në 4°C ose më të ftohtë.

Listeria monocytogenes

Listeria monocytogenes përfaqëson patogjenin kryesor të gjinisë Listeria dhe është shkaktari i sëmundjes së listeriozës. Listerioza është një infeksion serioz që zakonisht shkaktohet nga ngrënia e ushqimit të kontaminuar me këtë bakter. L. monocytogenes u përshkrua për herë të parë nga E.G.D. Murray (Everitt George Dunne Murray) në vitin 1924, ku u bazua në gjashtë raste vdekjesh të papritura në lepuj të rinj, dhe botoi një përshkrim me kolegët e tij në 1926. Murray i referohej mikroorganizmit si Bacterium monocytogenes para se Harvey Pirie të ndryshonte emrin e gjinisë në Listeria në vitin 1940. Megjithëse përshkrimet klinike të infeksionit të L. monocytogenes në kafshë dhe njerëz u botuan në vitet 1920, ai nuk u njoh si një shkak i rëndësishëm i infeksionit neonatal, septisemisë dhe meningitit deri në 1952 në Gjermaninë Lindore. Listerioza tek të rriturit u shoqërua më vonë me pacientë që jetonin me sistem imunitar të komprometuar (duhet pasur parasysh gjithashtu se gjendja shëndetësore e pacientëve ka një ndikim të madh në infeksionin me L. monocytogenes, pasi shkalla e infektimit është më e lartë te pacientët me imunitet të dobët). Një shpërthim i listeriozës në Halifax, Nova Scotia, duke përfshirë 41 raste dhe 18 vdekje, kryesisht në gra shtatzëna dhe të porsalindur, ishte i lidhur epidemiologjikisht me konsumin e lakrës që ishte kontaminuar me pleh delesh, ku dyshohej për përmbajtje me L. monocytogenes. Që nga ajo kohë, janë raportuar një numër rastesh të listeriozës ushqimore dhe L. monocytogenes tani njihet gjerësisht si një patogjen i rrezikshëm në industrinë ushqimore (Ryser & Marth, 1999). Aktualisht, pjesa më e madhe e shpërthimeve kontribuohet nga konsumimi i produkteve të qumështit, ndërsa numri i shpërthimeve për shkak të konsumimit të ushqimeve të gatshme është ulur. Konsumimi i frutave, perimeve dhe akullores shoqërohet me një numër të ulët deri në mesatar të shpërthimeve për shkak të L. monocytogenes.

Të gjitha shtetet kanë rregullore që kërkojnë nga ofruesit e kujdesit shëndetësor të raportojnë rastet e listeriozës dhe zyrtarët e shëndetit publik duhet të përpiqen të intervistojnë menjëherë të gjithë personat e infektuar duke përdorur një pyetësor standard për ushqimet me rrezik të lartë. Për të arritur këtë qëllim, FoodNet kryen mbikëqyrje aktive laboratorike dhe të bazuar në popullatë.

Prania e L. Monocytogenes tek qumështi dhe produktet e qumështit

Listerioza është një sëmundje që vazhdimisht është njohur për mundësinë e transmetimit të saj te njeriu nga qumështi. Një ndër rrugët më të zakonshme të transmetimit të Listerias te njeriu është rruga enterogjene (nëpërmjet qumështit të kafshëve të sëmura). Listeria është izoluar gjithmonë në qumështin e kafshëve të sëmura. Por qumështi mund të kontaminohet edhe në forma të tjera me Listeria (jo nga kafsha prodhuese) përmes pluhurit, gjatë mbledhjes dhe konservimit të tij.

Listeria ka një termorezistencë mesatare dhe i reziston temperaturës 75oC për 10 sekonda. Në tërësi pranohet që Listeria shkatërrohet nga temperaturat e pasterizimit. Por qumështi dhe produktet e tij mund të kontaminohen pas pasterizimit. Listeria mund të rritet shumë mirë në kushtet e temperaturave të ftohta.

Ky bakter mund të rritet në një gamë të gjerë të kushteve të pH dhe temperaturës, si dhe në vlerë të ulët të aktivitetit të ujit. Për shkak të efekteve serioze klinike të listeriozës dhe shkallës së lartë të vdekshmërisë me gjithë incidencën e saj të ulët, ajo konsiderohet si një patogjen i rëndësishëm për sa i përket shëndetit publik. Aftësia e agjentëve të Listerias për tu përshtatur me faktorët e stresit mjedisor dhe natyrën e tyre të kudogjendur përbëjnë ndër faktorët më të rëndësishëm. Pavarwsisht teknikave tw përdorura në fazat e prodhimit të qumwshtit, të tilla si trajtimi termik (ka një efekt vdekjeprurës pwr bakterin), dihet që faktorët paraqesin rrezik për industrinë ushqimore për shkak të rezistencës që ata kanë zhvilluar me kalimin e kohës.

Frekuenca e incidencës së listeriozës është e ulët (1%), por me shkallë të lartë të vdekshmërisë (30%). Në disa vende (SH.B.A. dhe Zvicra) shpërthime të mëdha të listeriozës u shoqëruan me konsumimin e djathërave dhe qumështit të freskët. Studimet mbi praninë e L.monocytogenes në qumështin e papërpunuar, të kryera në Evropë, kanë treguar se 2,5-6% e mostrave mund të kontaminohen me L.monocytogenes. Në procesin e prodhimit të qumështit dhe produkteve të qumështit, zakonisht ndodh si pasojë e kontaminimit paspasterizimit. L.monocytogenes ka aftësinë të shumohet dhe të rritet në temperatura të ulëta (40°C) dhe të mbijetojë edhe në temperatura të ngrirjes, dhe si i tillë paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve, nëse gjendet në qumësht, djathë, akullore dhe produkte të tjera të qumështit. Në mënyrë që të parandalohet kontaminimi i produktit me këtë bakter, merren masa parandaluese, dhe vëmendja e veçantë duhet të përqendrohet në pikat kritike në procesin e prodhimit dhe mbajtjen e higjienën në mënyrën e duhur.