Historiku
Krijimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri u bazua mbi prioritetet strategjike të vendosura në dokumentin e Komisionit Evropian “Letra e Bardhë mbi Sigurinë Ushqimore”.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është krijuar mbi bazën e plotësimit te detyrimeve qe rrjedhojë nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, të shpallur për pesë vendet e Evropës Juglindore në Samitin e Zagrebit, në vitin 2000. Shqipëria nënshkroi dhe ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij, e cila hyri në fuqi më 1 Prill 2009.
Neni 70 i MSA-së përcakton një angazhim të veçantë të Republikës së Shqipërisë: përafrimin e legjislacionit të brendshëm me atë të Bashkimit Evropian, proces ky që duhet të përfundohet në dy faza 5-vjeçare, brenda vitit 2019.
Ne kuadër te përafrimit te legjislacionit ishte dhe krijimi i Ligjit “Për Ushqimin”, i përafruar me ligjin 178/2002 te BE “Për Ushqimin ne BE”.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, u krijua bazuar në Ligjin “Për Ushqimin” Nr. 9863 datë 28.01.2008 dhe VKM Nr. 1081, datë 21.10.2009 “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit” me fonde të BE-së, Qeverisë Shqiptare dhe me mbështetjen e ekspertëve të huaj.
Aktualisht, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit funksionon si një institucion i konsoliduar me 12 Drejtori Rajonale dhe ka për mision:
Të vendosë dhe të konsolidojë në vijimësi bazat për sigurimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe interesat e konsumatorit, në të gjitha fazat e prodhimit primar dhe në të gjitha fazat e trajtimit, përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë.
Qëllimi
AKU ka për qëllim të vendosë bazat për sigurimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve dhe interesat e konsumatorit, duke përcaktuar:
a) kërkesat dhe parimet e përgjithshme për higjienën dhe sigurinë e ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë;
b) detyrimet e operatorëve të biznesit të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë, për higjienën dhe sigurinë e këtyre ushqimeve;
c) kërkesat e përgjithshme për cilësinë e ushqimeve;
ç) kërkesat e përgjithshme për regjistrimin e treguesve gjeografikë dhe emërtimin e origjinës së kontrolluar;
d) kërkesat e përgjithshme për mënyrën e etiketimit të ushqimeve dhe tё ushqimeve për kafshë; dh) kërkesat e përgjithshme të nxjerrjes në treg të ushqimeve dhe tё ushqimeve për kafshë;
e) kërkesat e përgjithshme të nxjerrjes në treg të ushqimeve të reja dhe tё ushqimeve të reja për kafshë;
ë) sistemin e kontrollit zyrtar të ushqimeve dhe tё ushqimeve për kafshë;
f) sistemin e laboratorëve të autorizuar për analiza dhe të laboratorëve të referencës;
g) menaxhimin e krizës dhe të emergjencave;
gj) krijimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit;
h) përgjegjësitë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për ushqimin dhe ushqimin për kafshë, të prodhuara në Republikën e Shqipërisë ose të importuara dhe të nxjerra në treg në Republikën e Shqipërisë.
Krijimi i këtij institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në Shqipëri është i domosdoshëm për të përmbushur kërkesat ligjore, ekonomike dhe sociale që rrjedhin përkatësisht nga zbatimi i MSA-së duke plotësuar edhe hallkën administrative të nevojshme që mundëson zbatimin e tij. Në aspektin social, krijimi i AKU-së, i jep të drejtën e qytetarëve shqiptar të konsumojnë produkte po aq të sigurta sa edhe qytetarët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.