Misioni dhe veprimtaria e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit
- Misioni i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (në vijim AKU) është garantimi i sigurisë dhe cilësisë së ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë në të gjithë zinxhirin e saj, sigurinë e shëndetit të kafshëve dhe të bimëve si dhe produkteve bimore në pikat e inspektimit kufitar dhe shëndetit të bimëve e të produkteve bimore kur ato kanë dalë në treg, në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet kryerjes së veprimtarive inspektuese, teknike dhe shkencore në këtë fushë.
- AKU kryen veprimtari inspektuese, teknike dhe shkencore, në përputhje me ligjin nr.9863, datë 28.1.2008 “Për ushqimin”, të ndryshuar dhe ligjet e tjerë, për sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë, për shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, për mbrojtjen e bimëve si dhe legjislacionit të inspektimit dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre
- Në kuadër të vlerësimit të riskut, AKU kryen veprimtaritë e mëposhtme:
3.1.Në kuadër të veprimtarisë së vlerësimit të riskut, AKU:
a) kërkon, grumbullon dhe analizon informacionin shkencor e teknik për të karakterizuar dhe monitoruar riskun, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi sigurinë e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë;
b) kryen, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe të Veterinarisë dhe me persona të tjerë juridikë, monitorimin e sigurisë së ushqimit dhe të ushqimit për kafshë;
c) kryen veprimtari për identifikimin dhe karakterizimin e riskut, që shfaqet për sigurinë e ushqimit dhe të ushqimit për kafshë;
ç) bën studime shkencore të nevojshme për promovimin e vlerësimit të riskut në fushën e sigurisë së ushqimit dhe të ushqimit për kafshë;
d) vendos mënyra unike të vlerësimit të riskut në të gjitha nivelet e prodhimit, të përpunimit dhe shpërndarjes së ushqimit e të ushqimit për kafshë.
3.2.Në kuadër të komunikimit të riskut, AKU:
a) informon mbi riskun dhe jep mendimin shkencor për ministrin përgjegjës për ushqimin, institucionet e tjera publike dhe private, operatorët e biznesit ushqimor dhe të ushqimit për kafshë dhe konsumatorët, për sa u përket rreziqeve dhe sigurisë së ushqimit e të ushqimit për kafshë;
b) krijon një sistem informimi të shpejtë dhe, për këtë qëllim, merr e dërgon të gjithë informacionin për rreziqet e ushqimit, si dhe krijon një sistem qendror për shkëmbimin e informacionit.
3.3 Në kuadër të menaxhimit të riskut, AKU:
a) bashkëpunon me ministrin përgjegjës për ushqimin për bashkërendimin e veprimtarive të përcaktuara në pikat e të këtij neni, për kryerjen e kontrollit zyrtar të sigurisë së ushqimit e të ushqimit për kafshë dhe për hartimin e kuadrit ligjor në fushën e sigurisë së ushqimit e të ushqimit për kafshë.
3.4 Krahas veprimtarive të përcaktuara më sipër. AKU gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj
a) përgatit standarde, materiale informuese për praktikat e mira të prodhimit bujqësor, praktikat e mira te përpunimit, praktikat e mira të higjienës, për aplikimin e sistemit HACCP dhe për praktikat e mira laboratorike;
b) ofron mendim shkencor për ushqimin, vlerat ushqimore të ushqimit dhe tema të tjera, që lidhen me shëndetin & mirëqenien e kafshëve, si dhe mbrojtjen e bimëve:
c) bashkëpunon me institucione dhe organizma ndërkombëtare, qe trajtojnë çështjet e ushqimit;
ç) trajnon dhe certifikon inspektorët e kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë.
Struktura organizative dhe funksionet e AKU
- AKU funksionon sipas strukturës dhe organikës së miratuar me Urdhër të Kryeministrit të cilat janë pjesë integrale e kësaj Rregullore.
- AKU si institucioni përgjegjës për kontrollin zyrtar të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, sigurinë e shëndetit të kafshëve në pikat kufitare dhe shëndetit të bimëve e të produkteve bimore kur ato kanë dalë në treg, është person juridik publik, me seli në Tiranë, që ushtron aktivitetin e saj në të gjithë territorin e vendit e organizuar në nivel qendror nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme dhe në nivel rajonal nëpërmjet Drejtorive Rajonale në 12 qarqe.
- Ndryshimet Strukturore vijuese të miratuara me Urdhër të Kryeministrit do të konsiderohen gjithashtu pjesë integrale e kësaj Rregullore.