Hyrje
Qëllimi i hartimit të këtij manuali është unifikimi i proçedurave gjatë kontrolleve zyrtare për verifikimin dhe vlerësimin e plotësimit të kushteve higjieno – sanitare dhe veterinare nga OBU dhe certifikimi i produkteve me origjinë shtazore nga inspektorët veterinare të sektorit të Kontrollit të Ushqimit, Ushqimit për Kafshë dhe OBU.
Ky manual synon të vijë në ndihmë të procesit të certifikimit të produkteve shtazore të destinuara për eksport në vëndet e BE-së dhe jo të BE-së, i cili do ti shërbejë inspektorëve gjatë kryerjes së kontrolleve zyrtare për verifikimin e plotësimit të të gjitha kushteve dhe kërkesave ligjore gjatë gjithë zinxhirit ushqimor që nga marrja e lëndës së parë, kushtet e ruajtjes së lëndës së parë, prodhimi, përpunimi, etiketimi, ruajtja, certifikimi i produkti dhe shpërndarja e produktit përfundimtar.
Ky proces bazohet në kërkesat e legjislacionit në fuqi për sigurinë ushqimore të cilat janë të publikuara në faqen zyrtare të AKU-së www.aku.gov.al
Procesi i certifikimit të produktit me origjinë shtazore është hapi i fundit që inspektori veterinar ndërrmer pas kryerjes së kontrolleve zyrtare sipas planin vjetor të inspektimeve në subjektet të cilat janë të pajisura me numër CE, të planifikuara të realizohen brenda datë 10 të çdo muaji. Trupa inspektuese e cila kryen këto kontrolle është e përcaktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së.
HAPI A: Procesi i Inspektimit për vlerësimin e plotësimit të kushteve higjieno sanitare dhe veterinare
Procedura e inspektimi është e bazuar në planin e kontrolleve zyrtare me bazë risku të cilat kryhen çdo muaj.
- Fillon me (lëshimin) gjenerimin e autorizimit të inspektimit nga sistemi e –Inspektimit;
- Autorizimi i inspektimit lëshohet nga Kryeinspektori Rajonal në dy kopje, e firmosur dhe e vulosur nga ky i fundit;
- Autorizimi përmban të dhënat e subjektit i cili do të inspektohet, emrat e nominuar të inspektorëve pjesëmarrës në këtë inspektim, si dhe objektin e inspektimit;
- Inspektorët paraqiten në vend, tek subjekti, duke u prezantuar me anë të dokumentit të institucionit, të cilit i përkasin (në këtë rast DRAKU-së përkatëse), si dhe me autorizimin e inspektimit;
- Fillohet me procedurën e kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimit në vend, duke verifikuar të gjitha hapat e ndjekura nga subjekti për këtë veprimtari, merren mostra zyrtare për produktin. gjatë inspektimit shoqërohen nga personi përgjegjës /drejtuesi teknik;
- Pas kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimin në vend, trupa inspektuese plotëson online në sitemin e – Inspektimit aktet e proçedurës së inspektimit;
- Fillohet me plotësimin e listë verifikimit specifike për:
- stabilimentet e përpunimit të peshkutdhe standartizimit të peshkut
- stabilimentet e grumbullimit/paketimit të vezëve.
- Plotësohen të gjitha rubrikat e përcaktuara me PO ose JO, si dhe mund të plotësohet rubrika “Komente” për të dhëna më të detajuara;
- Vijon me plotësimin e procesverbalit të inspektimit i cili përfundon me plotësimin e rubrikës vendimi përfundimtar dhe citohet baza ligjore përkatëse;
- Plotësohet vendimi përfundimtar i inspektimit;
- Të gjitha aktet firmosen nga trupa inspektuese dhe subjekti. Në rastet e mos nënshkrimit nga përsoni përgjegjës, jepet dhe arsyeja;
- Pas marrjes së vendimit nga trupa inspektimit, Drejtori Rajonal shqyrton nëse e gjithë procedura është ndjekur në përputhje me kërkesat ligjore.
Hapi B: Procesi i certifikimit të produkteve me origjinë shtazore në stabilimentet të cilat eksportojnë në vendet e BE-së.
Subjekti i cili do të kryejë eksportin në vendet e BE-së njofton 24 orë përpara, në rrugë elektronike (e-mail), apo me një shkresë zyrtare Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në qarkun ku ushtron aktivitetin e tij, ku përcaktohet qartë:
- Data e kryerjes së eksportit;
- emërtimi dhe sasia e produktit;
- vendin i BE-së ku do të kryhet ky eksport.
Pas këtij njoftimi, trupa inspektuese e përcaktuar me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së, paraqitet në stabiliment dhe verifikon:
- Produktin që do eksportohet, i identifikuar në një vend të dedikuar dhe të ndarë sipas kodeve të përcaktuara në sistemin TRACES NT (Trade control and expert system);
- Rezultatet e analizave të këtij produkti, të analizuara në ISUV;
- Temperaturën e ruajtjes së këtij produkti;
- Kushtet e mjeteve të transportit;
HAPI C: Plotësimi i certifikatave shëndetësore veterinare
Inspektori veterinar i përcaktuar, plotëson certifikatat veterinare në sisteminin TRACES NT, e cila është platforma online e Komisionit Evropian, për certifikimin sanitar dhe fitosanitar të kërkuar për importin e kafshëve, produkteve shtazore, bimëve, produkteve me origjinë jo shtazore në BE, si dhe për tregtinë brenda BE-së dhe eksportet e kafshëve të caktuara nga BE, ku produktet e ndryshme, klasifikohen me kode të veçanta.
- Pas verifikimit të dhënave sipas përcaktimeve të këtij sistemi, kryhet validimi i ngarkesës që do eksportohet në sistemin TRACES NT.
- Produkti më pas, niset drejt destinacionit përkatës.
HAPI D: Kryerja e certifikimit të produkteve me origjinë shtazore në vendet e JO BE-së
- Edhe në këto raste ndiqet e njëjta procedurë certifikimi që nga njoftimi, por ndryshimi në subjektet që kryejnë eksport të produkteve shtazore në vëndet jo të BE-së, është që inspektimi i këtyre subjekteve nuk kryhet çdo muaj, por kryhet sipas planifikimit të planit vjetor me bazë risku.
- Inspektori veterinar plotëson manualisht certifikatën veterinare, ku modeli i të cilave sipas llojit të produktit është i miratuar me urdhër Ministri.
- Produkti më pas, niset drejt destinacionit përkatës.
Baza ligjore
- Ligji nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për Ushqimin” i ndryshuar,
- Ligji nr. 10433, datë 16.6.2011 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar
- Ligji nr. 10465, datë 29.9.2011 “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar
- Ligji nr.10081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”,
- Ligji nr. 9441, datë 11.11.2005 “Për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e qumështit dhe produkteve me bazë qumështi”
- Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 760, datë 16.9.2015 “Për kërkesat për gjurmimin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë përgjatë zinxhirit ushqimor”,
- Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 434, datë 11.7.2018 “Për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit” Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 708, datë 9.9.2020, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, Kreut III, pika 8, germat “f”
- Udhëzimi nr. 20, datë 25.11.2010 “Për zbatimin e programeve paraprake, të praktikave të mira të higjienës, praktikave të mira të prodhimit, dhe procedurave të bazuara në analizën e rreziqeve dhe pikave kritike te kontrollit (HACCP) në stabilimentet ushqimore”,
- Udhëzimi nr. 21 datë 25.11.2010 “Kërkesat specifike të higjienës dhe kontrollet zyrtare për produktet me origjinë shtazore”,
- Udhëzimi nr 2 datë 13.01.2021 “Për vendosjen e rregullave të hollesishme në lidhje me standartet e marketimit dhe tregtimit të vezëve”.
- Udhëzimi nr.22, datë 25.11.2010 “Për kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të higjienës për stabilimentet e ushqimit dhe operatorët e biznesit ushqimor,
- Udhëzimit nr. 25, datë 25.11.2010 “Kushtet e higjenës dhe kontrollet për molusqet e gjalla bivalvore, peshkun dhe produktet e peshkimit,
- Udhëzimi nr.17, datë 24.9.2021 “Për kërkesat specifike të higjienës për mishin dhe produktet e mishit, duke përfshirë produktet e mishit, mishin e grirë dhe mishin e ndarë në mënyrë mekanike”
- Udhëzimi nr. 5, datë 25.3.2011 “Për kërkesat specifike të higjienës për stabilimentet e prodhimit, grumbullimit dhe përpunimit të qumështit dhe produkteve me bazë qumështi”