Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) kanë publikuar në janar 2025 raportin vjetor mbi zoonozat në BE.
Në vitin 2023 rastet e listeriozës arritën nivelin më të lartë që nga viti 2007, ndërsa kampilobakterioza dhe salmoneloza mbetën sëmundjet zoonotike më të raportuara në BE. Në përgjithësi, numri i rasteve të raportuara të sëmundjeve zoonotike te njerëzit u rrit, ndërsa shpërthimet e sëmundjeve të transmetuara nga ushqimi pësuan një rënie të lehtë.
Numri i rasteve të listeriozës te njerëzit (2,952) tregoi një rritje të qëndrueshme gjatë periudhës 2019–2023, duke arritur nivelet më të larta që nga viti 2007. Ky trend mund të lidhet me plakjen e popullsisë evropiane, 21.3% e evropianeve janë tani mbi 65 vjeç, çka së bashku me rritjen e mundësisë së sëmundjeve kronike të lidhura me moshën, rrit rrezikun për simptoma të rënda të listeriozes.
Ushqimet e gatshme për konsum(RTE) si salmoni i tymosur në të ftohtë, produktet e mishit dhe të qumështit, janë burimi më i zakonshëm i infeksioneve. Të dhënat e fundit tregojnë se përqindja e mostrave nga kategoritë e ushqimeve RTE që tejkalojnë kufijtë e sigurisë ushqimore për kontaminimin nga Listeria monocytogenes varionte nga 0.11% në 0.78%, me nivelin më të lartë të raportuar për sallamet e fermentuara.
Kampilobakterioza dhe salmoneloza ishin sëmundjet zoonotike më të raportuara në BE. Në vitin 2023, u raportuan 148,181 raste të kampilobakteriozës, duke shënuar një rritje nga 139,225 raste në vitin 2022.
Pas kampilobakteriozës, salmoneloza ishte infeksioni i dytë më i raportuar me 77,486 raste në vitin 2023, krahasuar me 65,478 raste të raportuara në 2022. Vetëm 15 shtete anëtare dhe Mbretëria e Bashkuar (Irlanda e Veriut) arritën të përmbushin të gjitha objektivat e vendosura për reduktimin e Salmonellës te shpendët. Kjo përfaqëson një ulje krahasuar me vitin 2022, kur 19 shtete arritën përputhshmëri të plotë.
Prania e qëndrueshme e Salmonellës te popullatat e shpendëve nënvizon nevojën për vigjilencë të vazhdueshme në luftën kundër sëmundjeve të transmetuara nga ushqimi.
Raporti monitoron gjithashtu shpërthimet e sëmundjeve të transmetuara nga ushqimi në BE, të cilat përkufizohen si ngjarje kur të paktën dy persona preken nga e njëjta sëmundje nga i njëjti ushqim i kontaminuar.
Në vitin 2023, u raportuan gjithsej 5,691 shpërthime të tilla. Megjithatë, numri i rasteve te njerëzit, shtrimet në spital dhe vdekjet u rritën, me fatalitete që arritën nivelin më të lartë në një dekadë. Salmonella mbeti shkaku kryesor i shpërthimeve të ushqimeve, rasteve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Burimet më të shpeshta të shpërthimeve të salmonelozës ishin vezët/produktet e vezëve, ushqimet e përziera dhe mishi i shpendëve.