EUROBAROMETRI – 2022

Eurobarometri është instrumenti i sondazheve që përdoret nga Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe institucione e agjenci të tjera të BE-së për të monitoruar rregullisht opinionet publike në Evropë për çështjet që lidhen me Bashkimin Evropian, si dhe qëndrimet për tema të natyrës politike ose sociale. Eurobarometri ofron të dhëna cilësore dhe relevante për ekspertët e opinionit publik, studiuesit, mediat dhe publikun.

Projekti i Eurobarometrit u iniciua në vitin 1974 brenda Komisionit Evropian nga Jacques-René Rabier, ish-bashkëpunëtor i Jean Monnet dhe Drejtori i Përgjithshëm për Informacionin, dhe u konceptua fillimisht si një mjet për të “zbuluar evropianët para vetes”. Që atëherë, ai ka evoluar dhe është zgjeruar ndjeshëm me mjete të ndryshme anketimi. Në vitin 2007, Parlamenti Evropian filloi serinë e tij të rregullt të sondazheve të Eurobarometrit, duke u fokusuar p.sh. për tema specifike për Parlamentin Evropian, duke përfshirë zgjedhjet evropiane. Përveç Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, disa institucione dhe agjenci të BE-së tani përdorin sondazhet e Eurobarometrit.

Barbara Gallani, Shefja e Departamentit të Komunikimit dhe Partneritetit të EFSA në vitin 2023 u shpreh për Eurobarometrin – “Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që përfshijmë – për herë të parë – të shtatë vendet e para-anëtarësimit në këtë studim pasues të Eurobarometrit tonë 2022 për sigurinë ushqimore. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia – morën pjesë në sondazhin e mëparshëm në 2019. Për vitin 2022 u shtua Bosnja -Hercegovina dhe Kosova.

Anketa në vendet e para – anëtarësimit u krye nga Departamenti i Komunikimit EFSA midis 31 majit dhe 25 qershorit 2023 me mbi 6,600 të anketuar, ku 1,005 janë anketuar në Shqipëri nga grupe të ndryshme sociale dhe demografike të intervistuar ballë për ballë në shtëpi në gjuhën e tyre amtare.

Zonja Gallani deklaroi: “Së bashku me partnerët tanë në shtetet anëtare të BE-së dhe në vendet e para-anëtarësimit, bashkëpunimi ynë në komunikim ka përfituar nga gjenerimi i njohurive nga kërkimet sociale si Eurobarometri. Ne mund t’i kuptojmë më mirë shqetësimet dhe nevojat e audiencës për të ndihmuar që komunikimet tona të jenë më të efektshme.

Anketimi me titull „QYTETARËT DHE SIGURIA USHQIMORE“ është përqëndruar në disa rubrika:

· Faktorët që ndikojnë në vendimet e lidhura me ushqimin

· Interesi për sigurinë ushqimore

· Kuptimi i ndërgjegjësimit, perceptimit të rrezikut dhe sjelljes për temat e sigurisë ushqimore

· Vështrime mbi sjelljen e konsumatorit

· Angazhimi me sistemin e sigurisë së ushqimit të BE‐së

· Burimet e informacionit për rreziqet e ushqimit

· Besimi në burimet e informacionit mbi rreziqet e ushqimit

Përgjigjet janë përpunuar dhe janë paraqitur në fact sheet në gjuhën shqipe dhe angleze.

 

Valbona Paluka – Focal Point EFSA