AKU bën të ditur se në bazë të urdhrit të Ministrit të MBZHR, ky institucion ka marrë të gjitha masat për monitorimin e shtuar dhe rritjen e kontrollit përgjatë gjithë kufirit të gjelbër të territorit shqiptar, si edhe në të gjitha pikat e inspektimit kufitar (PIK) dhe është në gatishmëri të plotë bashkëpunimi ndërinstitucional me AKVMB (Agjencinë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve), DPD (Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave) dhe Policinë Kufitare për ndalimin e importit të kafshëve të gjalla të tipit dhen e dhi (ruminantëve të vegjël) nga të gjitha vendet për të cilat Ministri i MBZHR ka urdhëruar ndalim të hyrjes së tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Po ashtu, AKU bën të ditur se në bazë të urdhrit të Ministrit të MBZHR ndalohet lëvizja e përkohshme si edhe tregtimi i kafshëvë të gjalla të tipit dhen dhe dhi (ruminantëve të vegjël) brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ky hap është ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes së murtajës që ka kapur ferma të caktuara ruminantësh të vegjël në territorin shqiptar.
Në bazë të urdhrit të Ministrit të MBZHR, lëvizja e kafshëve të gjalla të tipit dhen dhe dhi lejohet vetëm nëse destinacioni i lëvizjes është për në thertore, shoqëruar me certifikatën shëndetësore zyrtare veterinare të lëshuar nga veterineri zyrtar.
#bashkëpërsigurinëushqimore




