Njoftim mbi faljen e gjobave

Ligji nr. 127/2024  “Për shfuqizimin e masave administrative të vendosura nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024 nga Inspektoratet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, si dhe Policia e Shtetit e Policia Bashkiake”,

Neni 1    Masat administrative që shfuqizohen

Shfuqizohen të gjitha masat administrative të pa ekzekutuara deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, të vendosur nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024 nga Inspektoratet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, si dhe Policia e Shtetit e Policia Bashkiake.

Neni 2   Përfituesit

1. Individët dhe/ose personat fizikë apo juridikë, të cilët kanë bërë ndërtime dhe/ose ndërhyrje pa leje apo njoftim paraprak, në ndërtime për qëllime banimi, në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.

2. Individët dhe/ose personat fizikë apo juridikë, të cilët kanë objekt të aktivitetit të tyre prodhimin, përpunimin, ruajtjen dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale.

3. Individët dhe/ose personat fizikë apo juridikë, të cilët nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës COVID-19 gjatë periudhës së pandemisë.

Referuar nenit 2 pika 2 përcakton se përfituesit  janë: Individët dhe/ose personat fizikë apo juridikë, të cilët kanë objekt të aktivitetit të tyre prodhimin, përpunimin, ruajtjen dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale.

Përfituesit e ligjit duhet të plotësojnë 2 kushte kumulative pra të kenë objekt të aktivitetit prodhimin, përpunimin, ruajtjen dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe vendi i ushtrimit të këtij aktiviteti të jetë në zonë rurale.

Vendimit Nr. 274, datë 9.5.2025 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave që ndiqen për shfuqizimin e masave administrative të pa ekzekutuara

IV. PROCEDURAT QË ZBATOHEN NGA AUTORITETI KOMBËTAR I USHQIMIT

DHE INSPEKTORATI SHTETËROR SHËNDETËSOR

1. Strukturat përgjegjëse, në nivel qendror e rajonal, në përbërje të Autoritetit Kombëtar të

Ushqimit ose të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, sipas ndarjes së përgjegjësive të tyre, brenda

30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, përgatisin listat e individëve dhe/ose

personave fizikë apo juridikë ndaj të cilëve, nga struktura përkatëse, është vendosur masë

administrative, e cila rezulton e paekzekutuar, plotësisht ose pjesërisht, dhe që është shfuqizuar

me ligjin nr. 127/2024.

2. Lista e subjekteve kundërvajtëse shoqërohet me kopjen e vendimeve përfundimtare të

vendosjes së masës administrative, relacionin shpjegues për çdo masë të vendosur, si dhe

informacionin për fazën, në të cilën ndodhet procesi i ekzekutimit, duke e shoqëruar me

dokumentacionin përkatës.

3. Lista e përgatitur sipas pikave 1 dhe 2 të këtij kreu përcillet për miratim, përkatësisht, në

Drejtorinë e Përgjithshme e AKU-së ose te Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.

Listat përfundimtare miratohen nga titullari institucionit brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e

përcjelljes për miratim.

4. Listat e miratuara nga titullarët e institucioneve, sipas pikës 3 të këtij kreu, për

heqjen/fshirjen e masave administrative të shfuqizuara me  ligjin nr. 127/2024, administrohen

nga strukturat përgjegjëse për ndjekjen e ekzekutimit të masave administrative dhe nga strukturat

përgjegjëse për mbajtjen e regjistrave, ku evidentohen masat administrative të vendosura

përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ose Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.

Strukturat përgjegjëse, përkatësisht, bëjnë heqjen ose fshirjen e tyre nga evidencat apo regjistrat

që ato disponojnë.

5. Çdo individ dhe/ose person fizik apo juridik, që pretendon se një masë administrative e

vendosur ndaj tij dhe e shfuqizuar me ligjin nr. 127/2024, nuk është hequr/fshirë në sistem,

paraqet kërkesë, përkatësisht pranë strukturave përgjegjëse, në nivel qendror e rajonal, në

përbërje të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ose të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, sipas

ndarjes së tyre të përgjegjësive për heqjen/fshirjen e masës.

6. Struktura përgjegjëse verifikon pretendimet në kërkesë dhe, nëse plotësohen kriteret e

parashikuara në ligjin nr. 127/2024 dhe në këtë vendim, procedon me dërgimin menjëherë të

vendimit për shfuqizimin e masës administrative për miratim në Drejtorinë e Përgjithshme të

AKU-së ose te Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Në rast se nuk plotësohen

kriteret për shfuqizimin e masës, sipas ligjit dhe këtij vendimi, struktura përgjegjëse njofton

brenda 5 (pesë) ditëve individin dhe/ose personin fizik apo juridik për refuzimin e kërkesës për

heqje/fshirje nga sistemi, duke parashtruar edhe arsyet përkatëse. Kundër vendimit për refuzimin

e heqjes/fshirjes së masës administrative subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.

Hapat e ndërmarrë nga institucioni

Sipas VKM Nr.274, datë 9.5.2025 “Për përcaktimin e procedurave që ndiqen për shfuqizimin e masave administrative të pa ekzekutuara”, 12 Drejtoritë Rajonale kanë dërguar shkresë zyrtare organeve vendore respektive për përcaktimin e zonave rurale dhe urbane.

Drejtoritë Rajonale janë në fazën e identifikimit të subjekteve përfituese nga ligji.

Ky proces është përcaktuar të përfundojë brenda 30 ditëve por është në varësi të kthimit të përgjigjes nga organet vendore.

Pas mbylljes së procesit nga Drejtoritë Rajonale do bëhet një filtër i dytë nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU.

I gjithë procesi sipas përcaktimit në VKM duhet të përfundojë brenda 80 ditëve.

Subjektet përfitues do të njoftohen zyrtarisht më shkresë.

Kundër vendimit për refuzimin e heqjes/fshirjes së masës administrative subjekti ka të drejtën e ankimit në gjykatë.

I gjithë procesi është kompleks pasi duhet të kryhen shumë verifikime për sa i përket objektit të aktivitetit dhe zonës në të cilën ndodhen subjektet.

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme