Në Osijek të Kroacisë, është zhvilluar takimi tre ditor, i titulluar, Shkolla e Vjeshtës 2023, organizuar nga EFSA (Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore) në bashkëpunim me HAPIH (Agjencia kroate për Bujqësinë dhe Ushqimin).
Ky aktivitet në të cilin, merrnin pjesë edhe përfaqësues nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, kishte për qëllim ndërtimin e kapaciteteve për vlerësuesit dhe komunikuesit e riskut nga vendet përftuese të IPA (Instrument asistues për vendet paraaderuese në BE).
Gjatë ditëve të zhvillimit të këtij aktiviteti, u kryen prezantime nga EFSA për mundësitë dhe trajnimet që ajo ofron në lidhje me qasjen globale “One Health”, “Një shëndet”, diskutime mbi shpërthimet ushqimore, trajtimet e rasteve dhe rezistencën antimikrobiale.
U trajtuan hapat proceduralë mbi vlerësimin e riskut, monitorimi i të dhënave zoonotike dhe kimike.
Vëmendja u përqendrua edhe te komunikimi i riskut në aspektet psikosociale të konsumatorëve, qasja e audiencës në komunikimin e krizave ushqimore etj.