Laboratori Fitosanitar, në Drejtorinë Rajonale të AKU-së Durrës, është tërësisht funksional. I gjithë sistemi është ndërtuar sipas standardit evropian, pas rinovimit me mbështetjen e CHIHEAM Bari SAFIAL, financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunimin Zhvillimor (AICS).
Nëpërmjet këtij laboratori është bërë një hap i madh për konsolidimin e sigurisë ushqimore, si një nga kushtet e integrimit të vendit drejt BE-së.
Përpara investimeve të kryera në këtë laborator, operohej me një numër më të ulët të mostrave, për shkak dhe të aparaturave që ishin në sasi më të ulët.
Laboratori tashmë është pajisur me dy aparatura të reja të teknologjisë së lartë dhe pritet të rrisë me 41 % kryerjen e analizave të ndryshme si, në mostra dhe tregues.
Konkretisht, me ardhjen e aparaturave të reja, përveç shtimit të ELISA si risi tepër moderne në laborator, është shtuar edhe gama e analizave ekzistuese, kjo për arsye të inkubatorëve të rinj të cilët mundësojnë izolimin në kulturë të pastër, të patogjenëve kërpudhorë dhe bakterialë njëkohësisht.
ELISA përdoret gjerësisht në monitorimin e patogjenëve, në certifikimin e fidanëve për identifikimin e viruseve.
Projekti SAFIAL ka mundësuar aparaturat, kitet dhe bashkëpunimin në trajnimin e specialistëve të laboratorit dhe më konkretisht për patogjenët;
1- Xylella Fastidiosa
2- Tomato Broun Rugose Fruit.V (ToBRFV) Virus
3- Tomato Spotted Wilt.V. (ToSWV) Virus
Kryerja e analizave me të tilla pajisje bashkëkohore, është një vlerë e shtuar në akreditimin e rezultateve të ekzaminuara që garantojnë sigurinë e produkteve që konsumojmë brenda vendit dhe eksportojmë në tregjet jashtë.