Zyra Rajonale e FAO (Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara)
Për Evropën dhe Azinë Qendrore dhe Zyra Rajonale e OBSH-së (Organizata Botërore e Shëndetësisë) për Evropën, janë bërë bashkë nën qasjen globale “Një Shëndet”, në webinarin “Një shëndet dhe siguria ushqimore” për të theksur rëndësinë e standardeve të ushqimit në shpëtimin e jetëve, për të reduktuar sëmundjet që vijnë nga ushqimi dhe për të promovuar tregtinë e drejtë.
Me pjesëmarrjen e vendeve të përfshira gjeografikisht nën këto organizata, ndërmjet tyre edhe Shqipëria, u synuan audiencat e profesionistëve dhe politikëbërësve të sigurisë ushqimore në një diskutim dinamik, duke eksploruar ndërlidhjen e shëndetit të njerëzve, të kafshëve, mjedisit dhe marrëdhëniet e tij thelbësore për reduktimin e rreziqeve të sigurisë ushqimore.
Është trajtuar gjerësisht qasja “Një shëndet” në mundësinë e mbrotjes së shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe ekosistemit duke i integruar këto fusha. Si pjesë përbërëse e tij, standardet e ushqimit vendosin kërkesat që duhen përmbushur për të siguruar një ushqim të sigurt, duke përcaktuar nivelet maksimale të aditivëve, ndotësve, si dhe nivelet maksimale të pesticideve dhe barnave veterinare në ushqim.
Standardet e ushqimit ofrojnë gjithashtu udhëzime në trajtimin e higjienik të ushqimit për fermerët dhe përpunuesit dhe për të siguruar zbatimin e tyre është thelbësore të forcohet bashkëpunimi midis sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë sigurinë ushqimore, shkencën veterinare, shëndetin publik dhe shkencën mjedisore.