Etiketimi i ushqimit të MGj
Etiketat e ushqimeve janë thelbësore për konsumatorët, sepse ato japin informacionin e domosdoshëm për ushqimet që ata zgjedhin të blejnë. Etiketimi i ushqimit që përbëhet ose përmban ingredientë të MGj është i detyrueshëm sipas ligjit të BE-së:
- Nëse 0.9% a më tepër e ushqimit ose ingredientit ushqimor ka origjinë nga një burim i MGj, kërkohet një etiketë specifike, që deklaron modifikimin gjenetik. Nëse një ingredient i MGj matet dhe del se vlera e tij kap pragun 0.9%, ose nën të, atëherë operatori i biznesit ushqimor duhet të tregojë se prania e tij nuk është e qëllimshme.
- Pragu i vlerës që deklarohet në etiketë i referohet secilit prej ingredientëve, një e nga një, dhe nuk paraqet një agregat ingredientësh të ndryshëm të modifikuar gjenetikisht. Një ushqim që përmban sojë (me 0.7% MGj) dhe misër (me 0.8% MGj), nuk ka nevojë për një etiketë që deklaron modifikimin gjenetik.
- Etiketimi i ushqimeve të MGj është i detyrueshëm pavarësisht nëse hetohet ADN-ja apo proteina e OMGj origjinal.
- Ushqimet apo ingredientët e modifikuar gjenetikisht, të paautorizuar brenda për brenda BE-së, nuk lejohen në ushqime, në asnjë lloj niveli.
“Pa MGj” ose etiketa të ngjashme ushqimore nuk kërkohen me ligj; prodhuesit e ushqimit mund t’i përdorin ato sipas dëshirës. Rregullorja, përkitazi me direktivat e informacionit ushqimor për konsumatorët, veçanërisht për etiketimin ushqimor (nr. 1169/2011 (BE)), parashtron se etiketat ushqimore nuk duhet ta mashtrojnë konsumatorin “duke sugjestionuar se artikulli ushqimor përmban karakteristika të veçanta, kur në fakt, të gjithë artikujt e ngjashëm ushqimorë i kanë këto karakteristika”.
Etiketat “Pa MGj”
Etiketat ushqimore, të cilat konsiderohen mashtruese, përfshijnë:
- Etiketat “Pa MGj” tek mishi, qumështi, vezët etj. – (ushqimet që prodhohen nga kafshë të modifikuar gjenetikisht nuk lejohen në tregun evropian)
- Etiketat “Pa MGj” në ushqime nga kafshët e ushqyera me ushqim për kafshë jo të modifikuar gjenetikisht – (ushqimi që prodhohet nga kafshët e ushqyera me ushqim për kafshë të MGj nuk është ushqim i MGj, sepse ADN-ja e kafshës nuk ka ndryshuar)
- Etiketa “Pa MGj” në ushqime që nuk kanë një homolog të modifikuar gjenetikisht – (të gjitha këto produkte janë “Pa MGj” si p.sh.: mollët, portokallët, kikirikët etj.)
- Etiketa “Pa MGj” në ushqimet organike – (përdorimi i OMGj-së është i ndaluar në prodhimin e ushqimit organik)
- Etiketa “Pa MGj” në ushqime që përmbajnë përbërës të MGj në çfarëdolloj niveli – (nuk është caktuar një prag, nën të cilin ushqimi konsiderohet “Pa MGj”)
Shembuj me etiketa të pranueshme:
- Misër “Pa MGj” – kur vetëm misër “Pa MGj” është i pranishëm
- “Nga kafshët e ushqyera me ushqime kafshësh pa MGj” – mishi, qumështi, vezët etj., janë nga kafshë të ushqyera ekskluzivisht me ushqim kafshësh që nuk është modifikuar gjenetikisht.
Ushqimi i MGj në tregun Shqiptar:
Në legjislacionin kombëtar në fuqi, etiketimi i produkteve ushqimore apo ushqimit për kafshë është i përcaktuar në ligjin “Për Ushqimin”, ku në lidhje me etiketimin dhe publikimin e ushqimit, në kërkesat e përgjithshme të etiketimit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, përveç kritereve të tjera të përcaktuara nga kjo kornizë ligjore citohet edhe: Ushqimi, që nxirret në treg, pajiset me etiketën, ku shënohen: përmbajtja ose përbërja e OMGJ-ve, si dhe OMGJ-të që përmban.
Etiketimi i ushqimit për kafshë: Mënyra e etiketimit të ushqimit për kafshë, përfshirë dhe ato që kanë në përbërje ose përmbajnë OMGJ.
Burimi: Broshura “Genetically Modified Food“, Food Safety Authority of Ireland (FSAI) | Viti origjinal i botimit: 2019